Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë zhvilluar një aksion simbolik para Komunës së Prishtinës, në hyrje të së cilës kanë vënë posterin me mbishkrimin “ZYRE PËR PATUNDSHMËRI – LDK&PDK REAL ESTATE”.
Përmes një postimi në faqën zyrtare të LV-së, Qendra në Prishtinë, thuhet se ky aksion erdhi pasi që në Kuvendin Komunal të Prishtinës sot po mbahet një seancë me legjitimitet të kontestuar.
“Përderisa çështja e Kryesuesit të Kuvendit është duke u trajtuar nga gjykata dhe akoma nuk ka një vendim përfundimtar se kush është Kryesuesi legjitim, pushteti në Prishtinë po vazhdon me thirrjen e mbledhjeve”, thuhet në reagim.
“Asamblistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, po marrin pjesë në këtë seancë, me propozimin që e njëjta të ndërpritet dhe të mos ketë seanca tjera deri në sqarimin e plotë të paqartësive juridike që kanë të bëjnë me Kuvendin Komunal. Propozimi i grupit tonë nuk u votua nga asamblistët e partive LDK-PDK dhe pastaj u procedua me rendin e ditës e ku janë shtatë pika që kanë të bëjnë me këmbime pronash. Në shenjë pakënaqësie me qasjen e pushtetit komunal në raport me pasurinë publike, me pronat dhe të mirën e përgjithshme, asamblistët tanë bënë një aksion simbolik pranë ulëses së Kryetarit Rama, ku u vendos një poster me përmbajtje ironike e që përshkruan shumë mirë atë që në realitet është duke e bërë Komuna e Prishtinës: ZYRE PËR PATUNDSHMËRI – LDK&PDK REAL ESTATE”, thuhet më tej në reagimin e LV-së, Dega në Prishtinë.
ATV ka siguruar edhe video nga aksioni simbolik i LV-së para Komunës së Prishtinës. /atvlive.tv