Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, në emisionin COMPASS në ATV, tha se njohja nga Kenia është rezultat i angazhimit të kahershëm të Pacollit në raportet me këtë shtet afrikan.
Ai tha se njohja nuk do të ndodhte pa rolin e Pacollit, të cilin e quajti emisar të Kosovës në këtë proces diplomatik.
“Raportet tona, angazhimi i jonë në Kenia daton që nga koha e presidentes Jahjaga nëse i referohemi kështu, por tradita e vendeve të konsoliduar demokratike dhe që kanë një kulturë protokollare i referohem si emisar i shtetit, sepse njerëzve të zakonshëm nuk iu dorëzohet njohja”, tha Zyberaj.
Ai tha se pavarësisht mungesës së komunikimit zyrtar me institucionet keniane, angazhimi personal dhe miqësor i Pacollit ndikoi që kjo njohje të ndodhë.
“Pa modesti e them që absolutisht po (se njohja është meritë e Behgjet Pacollit) dhe ju mund ta shihni edhe në deklarimet e kryeministrit dhe të presidentës”, tha Zyberaj.
Zyberaj tha se Serbia ka ushtruar presion të madh diplomatik për ta parandaluar këtë njohje, sidomos gjatë samiteve të Unionit Afrikan.
“Angazhimi diplomatik në sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën veçanërisht në këtë periudhë është shumë kompleks dhe kjo njohje për shkak të raporteve tona edhe politike, por edhe miqësore ka mundur të vijë edhe më herët. Problemi ka qenë angazhimi i madh i Serbisë në këtë pjesë të botës, veçanërisht në periudhën e samiteve të vendeve të Unionit Afrikan, i cili është mbajtur muajin e kaluar, dhe ai angazhim praktikisht se e ka prolonguar edhe ardhjen deri në këtë pikë”, tha Zyberaj.
Deklaratën e plotë të Jetlir Zyberajt në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:
Kujtojmë se njohja nga Kenia ndodhi të mërkurën, më 26 mars, duke e bërë këtë shtet afrikan të 118-in që njeh pavarësinë e Kosovës. Lajmi u bë fillimisht i ditur nga ish-presidenti Behgjet Pacolli, e më pas u konfirmua edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. /atvlive.tv