Real Madrid përballet sonte me një mision të vështirë në Mynih, teksa synon të përmbysë humbjen 2-1 nga ndeshja e parë dhe të sigurojë një vend në gjysmëfinalet e UEFA Champions League.
Megjithatë, përpara sfidës vendimtare ndaj Bayern Munich, madrilenët nuk kanë pasur një natë të qetë. Në orët e para të mëngjesit, pranë hotelit ku ishte akomoduar skuadra, janë ndezur fishekzjarre dhe mjete piroteknike, në një tentativë të tifozëve vendas për të prishur qetësinë dhe përqendrimin e “Los Blancos”.
Sipas raportimeve të gazetarëve spanjollë që ndodhen në Gjermani, shpërthimet e fuqishme kanë zgjuar lojtarët e Realit rreth orës 01:00, ndërsa forcat e sigurisë kanë reaguar menjëherë duke kërkuar autorët e incidentit. Ende nuk ka konfirmim nëse përgjegjësit janë identifikuar.
Pavarësisht kësaj situate, vëmendja tani zhvendoset te fusha, ku në Allianz Arena do të zhvillohet përballja e madhe që nis në orën 21:00. Fituesi i këtij dueli do të përballet në gjysmëfinale me Paris Saint-Germain, duke e rritur edhe më shumë peshën e kësaj nate vendimtare.






