Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi

Kuvendi i Malit të Zi, mëngjesin e 31 tetorit zgjodhi Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq, pas seancës plenare që zgjati tërë natën.

Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiqit, Lëvizja Evropa Tani, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare.

Të gjitha këto parti do të udhëheqin ministri në Qeverinë e re, përveç partisë Fronti Demokratik, subjekt që sipas marrëveshjes me Spajiqin, do të hyjë në Qeveri pas një viti. Ekzekutivi do të ketë 18 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra, raportoi Radio Evropa e Lirë.

Për zgjedhjen e Qeverisë, 19 deputetë opozitarë votuan kundër, një abstenoi dhe pesë deputetë munguan në seancë gjatë votimit.

Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviqit, Qeveria e së cilit u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në gusht të vitit 2022.

Gjatë adresimit para deputetëve, Spajiq tha se “anëtarësimi në plotë” në Bashkimi Evropian, anëtarësimi “aktiv dhe i besueshëm” në NATO, përmirësimi i lidhjeve rajonale dhe marrja e një roli më aktiv në organizatat multilaterale do të jenë katër prioritetet kryesore të ekzekutivit të tij.

Koalicioni i qendrës Evropa Tani fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në qershor, por nuk arriti të fitonte mjaftueshëm sa të krijonte vetë Qeverinë.

Votimi i Qeverisë së Malit të Zi vjen pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit.

Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiq ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.

Pasi u zgjodh kryeparlamentar, Mandiq u zotua për punë drejt tejkalimit të ndasive. Kritikët thanë thënë se zgjedhja e tij në postin e kryeparlamentarit do të pengojë ambiciet e shtetit për anëtarësim në BE.

Një prej arsyeve që seanca për votimin e Qeverisë u mbajt gjatë natës – që është një praktikë e pazakonshme – ishte që Qeveria të mund të zgjidhej në mëngjesin e 31 tetorit, dhe të mund të mbante mbledhjen e parë për të vendosur për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar që të niste më 1 nëntor, por opozita ka kërcënuar me bojkot dhe ka kërkuar që të shtyhet për gjashtë muaj.

Spajiq njoftoi se Qeveria e tij do ta shtyjë regjistrimin për një muaj.

Debati parlamentar nisi pak pas mesnatës dhe fillimisht Spajiq refuzoi të paraqiste programin qeverisës.

Pasi njoftoi shkurtimisht për përbërjen e Qeverisë, disa deputetë opozitarë e kritikuan atë duke thënë se kjo ishte një përqeshje e Parlamentit dhe shkelje e Kushtetutës, ku thuhet se është obligative që të prezantohet programi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë, Andrija Nikoliq tha se kjo ishte një mënyrë e keqe për fillimin e mandatit si kryeministër.

“Ju keni shkelur Kushtetutën, ligjin dhe treguat ambiciet për të zgjedhur Qeverinë në orët e para të mëngjesit. Ne kemi ardhur për të diskutuar për ekspozenë programit dhe ju nuk e lexuat atë”.

Spajiq u tha deputetëve opozitarë tha se vendimi për të votuar Qeverinë në mëngjes është që të plotësojë kërkesën e tyre për të shtyrë regjistrimin e popullsisë.

“Qëllimi im ishte i qartë. Ekspozeja ka qenë publike tash e disa ditë, kushdo që ka dashur ta lexonte, ka mundur ta bënte. Ne e kemi publikuar në rrjetet sociale”, tha ai.

Pothuajse shumica e debatit u përqendruan në zgjedhjen e Mandiqit në postin e kryeparlamentarit.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA