Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi

Përgatiti: Teuta Arifaj

Pas muajsh të tërë të peripecive politike, Parlamenti malazez ka votuar Qeverinë e re e cila varet shumë nga grupe pro-serbe e ruse, të cilat do t’i bashkohen qeverisë, pas një viti bazuar në marrëveshjen e koalicionit. Qeveria e re do të udhëhiqet nga ekonomisti Milojko Spajiq i lëvizjes Evropa Tani. Disa orë pas votimit në Parlament, ish-kryeministri Dritan Abazoviq ia ka dorëzuar detyrën Spajiqit.

Qeveria e re malazeze, ka 17 ministra dhe pesë zëvendëskryeministra. Nga partitë shqiptare, Nik Gjeloshaj është zgjedhur zëvendëskryeministër për politika ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Gjeka ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Minoriteteve dhe Marash Dukaj ministër i Administratës Publike.

Qeveria është zgjedhur në një seancë që ka zgjatur gjatë tërë natës. Votimi është bërë në orët e mëngjesit të së martës. Pro Qeverisë së 44-të të Malit të Zi votuan 46 deputetë, kundër ishin 19 dhe një abstenoi.

Spajiq ka thënë se dëshiron që Malin e Zi ta bëjë “Zvicër e Singapor”. Në fjalimin e tij ka thënë se prioritetet e politikës së jashtme janë anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian, anëtarësim më kredibil në NATO dhe përmirësimi i raporteve fqinjësore.

Megjithatë, ka skepticizëm se si do t’i arrijë të gjitha këto kjo qeveri, duke marrë parasysh koalicionin me partitë pro-serbe, të cilat i kundërshtojnë të gjitha këto.
Mes tjerash, kryetar i Kuvendit është votuar të jetë Andrija Mandiq.

Mandiqi e mori mbështetjen e 49 deputetëve të shumicës së re parlamentare – Koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi (partia e ish-Frontit Demokratik), Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe dhe dy parti shqiptare, gjatë votimit në një seancë të Parlamentit malazez të hënën pasdite.

Mandiqi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.

Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo parti, po ashtu, kundërshton anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Mandiq ka raporte të ngushta edhe me presidentin serb dhe atë të Republikës Srpska. Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë derisa mbështet ideologjinë e lëvizjes çetnike. Titullin simbolik të dukës çetnik e ka që nga viti 2007.

Sidoqoftë me të marrë postin Mandic ka thënë se është i gatshëm të dërgojë mesazhe të reja e të harrojë se çfarë avokonte në të shkuarën.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA