Profesori universitar, Fatmir Çollaku, në një intervistë për EO, ka vlerësuar se Kosova është një shembull i organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, duke u krahasuar me vendet me demokraci të konsoliduar, raporton Ekonomia Online.
Sipas Çollakut, institucionet e rendit dhe të sigurisë, veçanërisht Policia e Kosovës, kanë treguar një nivel të lartë profesionalizmi në mbikëqyrjen e proceseve zgjedhore, duke parandaluar incidentet dhe shkeljet serioze.
“Policia e Kosovës edhe në zgjedhjet e kaluara në 10 vitet e fundit, të gjithë e dimë që Kosova është shembull për organizmi të zgjedhjeve në kuptimin më të mirë të fjalës dhe krahasohet me shtetet me të konsoliduar dhe me demokraci të fuqishme në kuptimin e organizimit të zgjedhjeve, realizmit të zgjedhjeve dhe mungesës së incidenteve dhe shkeljeve të rënda. Në Kosovë nuk ka pasur as në zgjedhjet e kaluara as parakaluara, as të ato më herët shkelje siç ndodh në shtet e tjera. Kosova në këtë segment është shembull i organizimit të mirë të zgjedhjeve dhe monitorimit të mirë, përkatësisht kujdesit të madh të organeve të rendit dhe institucioneve të tjera që kanë mandat sigurinë që të parandalohet çdo gjë që kish me rrezikuar interesin e shteti dhe sigurinë nacionale”, ka thënë ai.
Megjithatë, Çollaku theksoi se Serbia mbetet rreziku kryesor për stabilitetin në Kosovë, duke e akuzuar atë për përpjekje të vazhdueshme destabilizuese.
“Ne e dim historikisht shteti i vetëm që gjeneron pasiguri dhe vazhdimi ka pretendime edhe territoriale dhe pretendime destabilizuese për Kosovën është Serbia. Kurse prapa Serbisë rrinë Rusia e cila natyrisht ka interes me të gjerë të shtrirjes së interesit të vetë në këtë pjesë të Ballkanit. Por ne Kosova e kemi vetëm Serbinë problemin kryesor, shtete tjera në fqinjësinë tonë nuk janë të kalibrit të tillë për të destabilizuar apo rrezikuar integritetin tonë territorial, vetëm Serbia është rrezikuesi kryesor”, ka thënë ai.
Lidhur me mundësinë e cenimit të procesit zgjedhor, ai tha se sfidat mund të ekzistojnë, por institucionet e sigurisë janë të përgatitura për t’i parandaluar çdo tentativë për destabilizim.
“Jo nuk mendoj që rrezikohet, mund të sfidohet sistemi i sigurisë dhe procesi zgjedhor mund të sfidohet, por të rrezikohet jo. Sfidimi nënkupton përpjekje për të destabilizuar, përpjekje për ta penguar realizmin e zgjedhjeve, përpjekje për të paraqitur gjendjen kishe trishtuese dhe të pa sigurt për serbet atje. Por realisht kjo është e pa mundur sepse edhe një herë po e përsëri që institucionet që kanë mandat, si ato për mbarëvajtje e zgjedhjeve si ato për sigurinë, edhe organet tjera janë në nivel të lartë të detyrës dhe kanë një vigjilencë të shtuar sidomos për procesin zgjedhor”, ka thënë ai.
Eksperti i çështjeve të sigurisë shtoi se strategjia e Serbisë për të paraqitur Kosovën si një vend të paqëndrueshëm përmes incidenteve të inskenuara nuk do të ketë sukses.
“Destabilizimi nënkupton edhe frikësim që të mos dalin në zgjedhje ata ose të shkaktojnë skandale, incidente që paraqitet Kosova si jo stabile, si vend që nuk ofron sigurinë qytetarëve atje. Kjo është tendencë e Serbisë përmes mekanizmave të ndryshme, skenarëve të ndryshëm. Realisht as kjo nuk do të realizohet apo finalizohet në plotëni sepse me po e përsëris me argumente të fuqishme që rendi dhe qetësia publike, siguria nacionale, procesi zgjedhor janë duke monitoruar, janë duke u realizuar dhe zbatuar sipas legjislacionit, sipas planeve operative puna e policisë dhe sipas objektivave të synuara të KQZ për të realizuar këto zgjedhje në mënyrën më të lartë demokratike”, ka thënë ai.