Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, kanë shprehur shqetësimin e tyre për numrin e ulët të pjesëmarrësve të qytetarëve në dëgjimet buxhetore, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, me zgjedhjen e kryetarëve të bashkësive lokale, nevojat dhe kërkesat e qytetarëve do të adresohen më mirë.
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, konsideron se qytetarët nuk janë të implikuar mjaftueshëm në këtë procesin e buxhetimit.
Sipas Sveçlës, ekzekutivi komunal ka pasur vetëm pesë dëgjime publike me një numër të vogël të pjesëmarrjes.
“Procesi i buxhetimit në Komunë është një prej proceseve më të rëndësishme që ka impakt të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Fatkeqësisht mendoj se qytetarët nuk janë të implikuar mjaftueshëm në këtë procesin e buxhetimit, i cili do të duhet që të ishte një kombinim ne mes të projekteve dhe premtimeve të ekzekutivit dhe nevojave konkrete të qytetarëve. Në praktikë nuk del kështu shumicën e projeksioneve buxhetore, një për qind shumë të madhe janë ato të cilat i paraqet ekzekutivi i kryeqytetit, ndërkohë që kërkesat dhe nevojat e qytetarëve në masë shumë të vogël arrin që të hyjnë dhe si të tilla të buxhetohen”, u shpreh Sveçla.
“Në këtë plan paraqet edhe mungesa e një procedure standarde për projektin e buxhetit të kryeqytetit për shkak se kjo dallon varësisht nga komunat. Për shembull nga informatat që i kam në komunat e tjera realizohet një numër i madh i dëgjimeve publike të cilat bëhen. Kurse në rastin e Prishtinës kemi pasur pesë dëgjime publike e ku pjesëmarrja e qytetarëve nuk ka qenë aq e mjaftueshëm kur dite fakti qe po behët fjale për 1\3 e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh tutje Sveçla.
Sipas Sveçlës, numri kaq i vogël i qytetarëve, është bërë vetëm sa për ta plotësuar normën e kërkuar ligjore.
Ai kërkon që numri i dëgjimeve publike të rritet nëpër lagje të ndryshme.
“Mendoj që duhet që të rritet transparenca, informimi dhe duhet të standardizuare procedurat se si ndodh deri të buxhetimi. Akti fundit dihet që është Kuvendi Komunal ku bëhet votimi, por është një proces i tërë ku duhet marr parasysh kërkesat e qytetarëve. Nuk është i mjaftueshme ky numër, ky numër është bërë vetëm sa për ta plotësuar atë normën e kërkuar ligjore në aspektin ligjor”.
“Ndërkohë që nevojat dhe kërkesat e Prishtinës që janë shumë të mëdha, mendoj që duhet të rriten numri i dëgjimeve publike, duhet një decentralizim, do të thotë duhet që të ketë dëgjime nëpër lagje të ndryshme të qytetit. Në këtë drejtim duhet shumë punë, shumë informim, duhet të ketë paraparë që duhet kushtuar më shumë vëmendje kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Besoj që ka ngecje në buxhetimin gjinor ku shumë organizata të cilat merren me të drejtat e grave kanë shprehur këtë breng të tyre me të drejt”, u shpreh ai.
I pakënaqur me numrin e ulët të qytetarëve pjesëmarrës nëpër dëgjimet publike, është shprehur edhe shefi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Leutrim Retkoceri.
Ai për Ekonomia Online ka thënë se nga tri dëgjimet buxhetore, numri i pjesëmarrësve ka qenë i vogël. Ai shpreson se me zgjedhjen e kryetarëve të bashkësive lokale, kërkesat e qytetarëve do të adresohen më mirë.
“Qytetarët që nga votimi i buxhetit për vitin 2023 që ka qenë në shtator të vitit 2022, janë organizuar siç e kërkon ligji tri dëgjime buxhetore me qytetarë, në të cilat ka pasur pjesëmarrës por nuk mund të themi se ka qenë i kënaqshëm i qytetarëve në këto dëgjime. Siç duket mungon një pjesë e detajuar për rëndësinë që e ka votimi i buxhetit karshi qytetarëve në lagjet e kryeqytetit”.
“Vlen të cekët se në momentin që po flasim jemi në prag të fillimit të formimit të këshillave të bashkive lokale dhe zgjedhjen e kryetarit të bashkësisë lokale, në mënyrë që të organizohet lokaliteti në kryeqytet pra lagjet të jenë të përfaqësuara më shumë dhe në këtë rast të kemi edhe kërkesa dhe t’i vendosim prioritetet në bazë të lagjeve. Komuna e Prishtinës ka një buxhet që tanimë ka kaluar në shumë mbi 1 milion euro që një numër i mjaftueshëm që nga një pjesë e këtyre mjeteve të kthehet në secilën lagje të kryeqytetit”, u shpreh Retkoceri, teksa kërkon që të bëhen më shumë fushata vetëdijësuese.
Për këtë të fundit, ai kërkon që të bëhen në forma të ndryshme, qoftë në mënyrë digjitale apo edhe përmes mjeteve tjera të komunikimit.
“Marrë parasysh që kjo është caktuar edhe me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale që maksimalisht parasheh që të jenë tri dëgjime publike me qytetarë për çështjen e buxhetit, po ashtu edhe në raport me rregulloret tjera. Nuk duhet të lihet vetëm me atë që është përcaktuar me Ligj, sepse Komuna e Prishtinës nuk e ka peshën sikur komunat tjera për shkak se është kryeqytet, për shkak se është një Ligj tjetër që Komuna e Prishtinës rregullohet me Ligjin për Kryeqytetin”.
“Është numër i pakënaqshëm në relacion me dinamikën, me nevojën e buxhetin që e ka Komuna e Prishtinës. Sigurisht se duhet të punohet më shumë, duhet të bëhen fushata vetëdijësuese më shumë, duhet t’iu përshtatet forma e komunikimit qofshin digjitale apo të mjeteve tjera të komunikimit, në mënyrë që të depërtohet më shumë afër qytetarëve në adresimin e kërkesave që i kanë qytetarët karshi me zhvillimin, buxhetin dhe të gjitha akteve që janë kompetencë e Kuvendit Komunal”, tha Retkoceri për EO.