Përgatiti: Arian Hajdaraj
Një ditë pas vizitës në Kosovë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, aterroi në Beograd.
Pas takimit me presidentin Aleksandar Vuçiq, Stoltenberg foli për disa çështje, përfshirë bashkëpunimin, asociacionin dhe vendosjen e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.
“Ne do të vazhdojmë ta ruajmë sigurinë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. NATO-ja është e gatshme ta ruajë paqen. Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën nuk ndihmon. Unë mirëpres koordinimin e ngushtë midis ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it. Unë llogaris në të gjitha palët për t’i ulur tensionet. Unë mbështes formimin e Asociacionit, ky do të ishte çelësi i normalizimit”, tha Stoltenberg.
Por, deklaratën e Stoltenbergut për vendosjen e ushtrisë, Vuçiq nuk e kaloi lehtë.
‘Ushtria serbe kurrë nuk i ka tejkaluar të drejtat dhe kompetencat. Por, se ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është punë e jona”, tha Vuçiq.
Në Beograd, Stoltenberg po ashtu tha se autorët e sulmit në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë.
Megjithatë, Vuçiq deklaroi se ngjarjen në Banjskë e shohin nga një tjetër.
“Në përputhje me ligjin dhe legjislacionin vendas, ne do të mbajmë përgjegjës ata që morën pjesë në kryerjen e veprave penale në Banjskë. Por, meqenëse e di se Perëndimi është i interesuar vetëm për Banjskën dhe Zveçanin, më duhet të them se ne kemi një pikëpamje tjetër për atë që ka ndodhur, por i kuptojmë kërkesat e NATO-s dhe Perëndimit”, tha Vuçiq.
Gjatë qëndrimit në Kosovë më 20 nëntor, duke iu referuar sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se aleanca po shqyrton nëse është i nevojshëm shtimi i përhershëm i pranisë ushtarake në Ballkan.