Peter Sorensen, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, është takuar sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Pas takimit, Vuçiqi përmes një shkrimi takimin e konsideroi si të hapur dhe të drejtë.
Ai tha se Sorensenit ia ka shprehur “shqetësimet për situatën e serbëve në Kosovë”.
Tutje, ai theksoi se formimi i Asociacionit është parakusht për fillimin e normalizimit thelbësor të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.
“E njoftova me problemet me të cilat ballafaqohet “populli ynë” në Kosovë. Shpreha shqetësimin e veçantë për pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë për shkak të veprimeve të shumta të përshkallëzuara, të njëanshme dhe të dhunshme nga Prishtina. Theksova gjithashtu pengesat e vazhdueshme që po kryen Prishtina në procesin e dialogut dhe ritheksova se formimi i Asociacionit është parakusht për fillimin e normalizimit thelbësor të marrëdhënieve”, ka shkruar Vuçiqi në Instagram.
“Theksova pritjen se BE-ja do të rrisë angazhimin e saj dhe do të mbajë një rol të paanshëm në këtë proces. Përsërita qëndrimin e Serbisë se vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet kompromisi mund të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar Vuçiqi.
Vizita e Sorensenit në Serbi ka ardhur pas vizitës së tij në Kosovë javën e kaluar, por deri tani, nuk janë bërë publike qëndrimet e tij.