Me kërkesë të mbrojtëses së viktimave Zymreta Bashiq, është mbyllur seanca fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj të akuzuarit për vrasjen e nënës në mënyrë mizore, Urim Hyseni.
Mbrojtësja e viktimave Bashiq, kërkoi që seanca të mbyllet për publikun për shkak që rasti ka të bëjë me çështje familjare, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ky propozim u mbështet nga prokurorja Sahide Gashi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Asdren Mekaj. Më pas, si i tillë u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur më 9 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, i akuzuari Urim Hyseni më 14 prill 2023, në shtëpinë e tij në Pejë, ka privuar nga jeta në mënyrë mizore nënën e tij, vitimën H.H., në rrethanat e përgjegjësisë së zvogëluar mendore në shkallë esenciale. Aktakuza thotë se pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit dhe viktimës, për motive ende të panjohura, derisa gjendeshin në paradhomën e katit të parë të shtëpisë, i akuzuari në mënyrë mizore kyen vrasjen e viktimës.
Me këtë, akuzohet se ka kryer vepën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar 1.3 e 1.4, lidhur me nenin 18, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet me burg prej 10 vitesh deri në burgim të përjetshëm. Neni 18, paragrafi 2 dhe paragrafi 1 shpjegojnë se personi që ka paaftësi mendore dhe aftësi të zvogëluar mendore konsiderohet penalisht përgjegjës, por këto rrethana merren parasysh nga gjykata kur vendos për kohëzgjatjen dhe llojin e sanksionit ose masës së trajtimit të detyrueshëm.
Më 14 prill 2023, Policia e Kosovës kishte konfirmuar se një person dyshohet se e ka vrarë nënën e tij në Pejë. Më 11 maj i ishte vazhduar edhe për dy muaj paraburgimi Hysenit.