Përgatiti: Driton Sadiku
Këta kontejnerë që në zgjedhjet e fundit në veri u përdorën si qendra të votimit mund të vihen në funksion përsëri. Madje, për të njëjtën arsye.
Votimi i 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve veriorë nga pozita, mund të mbahet përsëri në objekte të improvizuara.
Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, doli publikisht kundër këtij procesi, duke bërë thirrje për bojkot.
Për këtë arsye, kryesuesi i Kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Ugljanin, beson se pjesëtarët e komunitetit serb nuk do të lejojnë të përdoren objektet që janë nën menaxhimin e tyre.
“Do të kthehemi mbrapa si në zgjedhje kur i kemi pasur vendet alternative për mbajtjen e referendumit, sepse ju siç e dini shkollat janë nën udhëheqjen e strukturave paralele serbe”, tha Ugljanin.
Megjithatë, zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ditë më parë miratuan listën e vendvotimeve, nuk e pohojnë e as mohojnë se do të ketë ndryshim.
Mirëpo, kudo që të mbahen ato, vendvotimet do të jenë nën vëzhgim të kamerave të sigurisë.
“Ky nuk është vendim që përfshin vetëm votimin më 21 prill në veri, por do të vlejë për të gjithë procesin e ardhshëm zgjedhor. Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Kamera po, por vëzhgues të partisë më të madhe serbe me gjasë nuk do të ketë, pasi ata dhanë dorëheqje vullnetarisht. Por procesi mund të vazhdojë edhe pa ta, meqë sipas njohësve të qeverisjes lokale, kjo nuk e pengon punën e komisioneve zgjedhore.
“Obligim ligjor i KQZ-së është që secili subjekt i regjistruar dhe i cili ka aplikuar të përfaqësohet në këshillat komunalë zgjedhorë, mirëpo jo që anëtarët e tyre të mbahen me zor, pra dorëheqja është një akt i vullnetit të vetë anëtarëve të subjektit të caktuar politik, të cilët nuk mund ta pengojnë në aspekt ligjor këtë proces”, tha Qëndrim Arifi, njohës i qeverisjes lokale.
E njëjta praktikë ishte edhe në zgjedhjet e fundit nga të cilat, qeverisjen në komunat veriore e morën kryetarët shqiptarë.
Serbët të cilët bojkotuan pjesëmarrjen, nuk i lëshuan as shkollat të cilat gjithmonë qenë përdorur si qendra të votimit.






