Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i ka reaguar ashpër kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratave të tij sot për çështjen e presidentit.
Gruda thotë se po të mos donte zgjedhje Kurti, siç deklaroi sot, nuk do ta shpërdoronte sipas tij, as mundësinë e dytë që ia dha Gjykata Kushtetuese, 34 ditë shtesë.
“Mjafton të shihet se si u përdor kjo kohë: nga 34 ditë, 7 i kaloi në vizita të pafrytshme jashtë vendit, ndërsa tri javët e tjera pa asnjë përpjekje serioze për zgjidhje.”
Tashmë teksa afati po skadon, deputeti shprehet se deklaratat e tij më s’kanë peshë, sepse tash flasin veprimet e tij, që i quan destruktive.
“Tani, kur ka mbetur vetëm një javë, deklaratat politike nuk kanë më peshë, sepse veprimet destruktive të tij në të dy raundet për zgjedhjen e presidentit flasin më qartë se çdo fjalë.”
Madje, sipas Grudës, është për keqardhje se si Kurti po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve të reja për inate personale.
“Është për keqardhje që dikush me 51% të besimit qytetar po e shtyn vendin drejt një procesi të ri zgjedhor për arsye dhe inate personale. Qytetarët do të dijnë t’ia japin përgjigjen e duhur këtij mentaliteti!”






