Kosovarët fort i pëlqejnë burrat që vishen si gra. Baba i humorit modern në Kosovë, Sevdai Radooshi, gjatë e ka pasë një rol për të cilin ai vishej dhe fliste si grua. Kur po them baba i humorit modern kosovar, po mendoj më shumë në njeriun që bashkë me disa shokë të tij e kanë kultivuar, për të mirë a për të keq, shijen e dy gjeneratave të kosovarëve për humor. Çfarë shije kanë kosovarët për humor, është tjetër temë.
Osmani i Stupcave edhe më tutje e ka një rol ku vishet dhe flet si grua. Te Naim Abazi në emision ka qenë një burrë që vishej e fliste si grua e më pas ky personazh kish qenë i popullarizuar edhe tjetër kah.
Këta tre qirkuza i kanë miliona e miliona shikime për më shumë se 20 vjet. Kuptohet, kur këta janë bërë të famshëm, në Kosovë s’ka qenë i popullarizuar termi drag queen – drag i bie dressed as a girl, pra është akronim, e jo folje.
Këta thjesht kanë qenë do burra që vishen si gra, njëjtë si në teatrot në Angli para 400 vjetëve, kur gratë s kanë dalë në skenë.
Drag Queens janë bërë të famshme më vonë, e duke iu falënderuar reality show-eve, pëlqimi i kosovarëve për burrat që vishen si ra ka shkuar tutje – Edon Shileku është një burrë që në skenë vishet si grua dhe ka mbledhur jo veç shumë ‘viewsa’, por edhe shumë vota. Po flasim për kosovarë që kanë harxhu pare dhe kanë votuar nëse duan ta shohin atë edhe më tutje 24/7 live.
Edona James është transgjinore dhe nuk është personazh i skenës, ajo është personalitet i reality show-eve, dhe super yll televiziv, po ashtu njeri që mbledhë miliona viewsa e që ka mbledhë edhe dhjetëra mijëra vota të kosovarëve që kanë dashur ta shohin në ekran 24 sahat pa ndalë!
Tash, a janë burrat e Kosovës gay-a të fshehtë, a kanë ndonjë fetish kolektiv, eeeeec e dije, por kosovarëve e di cka nuk ju pëlqen – nuk ju pëlqejnë kur gratë kryejnë punën ose funksionet që mendohet të jenë të burrave. Eh këtu ndërron loja!
Nëse veç pak hulumtoni nëpër deklarime publike e politike, konstatoni që Atifete Jahjaga e Vjosa Osmani si Presidente të shtetit janë shumë të sulmuara, përqeshura dhe nënçmuara sesa Hashim Thaci ose Fatmir Sejdiu.
Reagimi i politikës edhe i mediave ndaj incidentit të Presidentes së Kosovës në Maqedoninë e Veriut tregoi që më shumë interes ka për raportet e Vjosa Osmanit me Donika Gërvallën ose Albin Kurtin, sesa për mundësinë e përkeqësimit të raporteve ndërmjet dy vendeve, ose trajtimin e incidentit me ekspertë dhe me burime kredibile.
Sulmet publike që bëhen ndaj Mimoza Kusarit, Saranda Bogujevcit, Ganimete Musliut, janë më të fëlliqta sesa ndaj politikanëve burra që bëjnë të njëjtat veprime.
Realitete që e kundërshtojnë njëra – tjetrën projektohen edhe në imazhin publik të Kosovës.
Në showbizzin ndërkombëtar, Kosova njihet si vendi i prejardhjes së Dua Lipës e Rita Orës. Pushtimin e top listave nga kosovaret, The Guardian e definon si KPopi tjetër.
Kosova në mediat dhe në qarqet sportive ndërkombëtare është vend që i ka fituar pesë medalje olimpike në tri olimpiadat e fundit. Nëse deri vonë për Majlinda Kelmendin është folur si fenomen i izoluar nga një vend i vogël e i varfër, sot Distria e ka një të artë e një të argjendtë, Nora e ka një të artë dhe Laura e ka një të bronztë.
Në mediat e Kosovës ndërkaq, çdo ditë ka tituj për dhunë ndaj grave, ka raportime të shumta të vrasjes së grave po se po, por për më keq, vrasje të grave direkt për shkak të neglizhencës, ose për shkak të lejimit të shtetit.
Pra, mos trajtimi i shkelësve recidivistë të ligjit sipas ligjit, mos trajtimi i kërcënimeve dhe dhunës me masa meritore, dhe reagimi i dobët i institucioneve shtetërore, bën që organet shtetërore të lejojnë që gratë të vriten në duar të shtetit, ose të britën për shkak të mos reagimit të shtetit.
Meqë jam i përkushtuar që marrëzisë të mos i jap sekondazh televiziv, nuk do të merrem me krejt ata komentues që lavdërojnë dhunuesit dhe vrasësit e grave.
Sidoqoftë, një gjë është e sigurt, këto mund të jenë zgjedhjet e para në Kosovë, ku gratë dhe temat rreth grave mund të kenë rol përcaktues.
Profilizimi i partive politike po tregon që politikat ndaj garave mund të bëjnë diferencën në zgjedhje. Qe një parametër – gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, mbi 100K gra kanë hape xhirollogari për herë të parë!
Jo 100, as 1000, po 100 mijë edhe e vërtetova dy herë pohimin se e di që do të thoni Albini s din matematikë.
Kjo i bie që para 2021-ës, kanë qenë së paku 100 mijë gra në këtë vend që janë rritë, janë martu, janë bërë nëna dhe nuk kanë pasë xhirollogari.
Shtesat e fëmijëve i kanë bërë për herë të parë 100 mijë gra të kenë pare të vetat në bankë dhe ky është hap më i madh emancipues e politik, sesa cilado politikë sektoriale më herët.
Për më tepër shtesa për fëmijë, bile shtesa për fëmijë të dytë e të tretë e gjana, kanë premtuar edhe partitë tjera, që i bie që kjo politikë dorë të vazhdojë dhe ky është tashmë një gjendje e re sociale në Kosovë.
Bile-bile, baba s’ka atë drejtë të aplikojë për shtesa të fëmijëve hiç! Nëse ndikujt i ka vdekur gruaja, ose për më zi, e ka vra gruan qysh kanë bërë mbi 50 kosovarë në një dekadë e gjysmë, ai shtesa të fëmijëve nuk merr!!!
Tjetër politikë ku vota e grave mund të jetë përcaktuese është ligji për fertilizimin e asistuar mjekësor. Rreth kësaj teme ekzistojnë dy këndvështrime.
I pari – shteti ka interes që in vitro fertilizimi të bëhet në institucione publike shëndetësore, por deputetët konservatorë nuk po e votojnë ligjin dhe kështu po ua mundësojnë spitaleve private të fitojnë miliona Euro.
I dyti – nuk ka nevojë për ligj fare. Nëse me Udhëzim Administrativ lejohet in vitro fertilizimi në institucione private shëndetësore, atëherë me të njëjtin udhëzim mund të bëhet në institucione publike – veç ka nevojë të blihen pajisjet dhe trajnimet.
Mirëpo, kjo përbërje e Kuvendit nuk i ka pasur votat ta kalojë projektligjin. Mijëra familje paguajnë mijëra Euro për IVF dhe nëse gratë nuk interesohen për vete, prej burrave u pa që zor e kanë me pritë zgjidhje.
Tjetër temë ku pozicionimi i grave është vital – Kodi Civil! Ky kod është bllokuar në Kuvend sepse gjysma e grupit parlamentar të Vetëvendosjes është kundër lejimit të bashkësive civile të personave të gjinisë së njëjtë.
Mos ti kthehem tash prapë burrave mbi burra, por po them që kodi civil përcakton dispozita që kanë të bëjnë me bashkëjetesën, martesën, familjen, divorcin, alimentacionin, pronësinë, bashkë-pronësinë, trashëgiminë e shumë aspekte tjera kur të drejtat e grave në Kosovës nuk respektohen ose shkelen në vazhdimësi.
Për kosovarë dihet që nuk votojnë për program partiak, gjatë flitet a ka votë klienteliste, tash është debat në shoqëri nëse ka votë fetare, muajve të ardhshëm do të marrim vesh a ka vote gjinore!!!