Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se lufta e Rusisë në Ukrainë ka kaluar “një kufi tjetër”, pas incidentit ku një dron rus goditi një ndërtesë banimi në Rumani dhe la të plagosur dy persona.
Në një reagim në rrjetin social X, von der Leyen theksoi se sulmi ka ndodhur në territor të Bashkimit Evropian dhe e cilësoi ngjarjen si një përshkallëzim serioz të konfliktit.
Ajo shprehu solidaritet të plotë me Rumaninë dhe qytetarët e saj, duke paralajmëruar se BE do të vazhdojë të forcojë masat e sigurisë dhe mbrojtjes në kufijtë lindorë të unionit.
Sipas saj, incidenti tregon rrezikun në rritje të zgjerimit të pasojave të luftës përtej territorit të Ukrainës dhe nevojën për vigjilencë të shtuar nga vendet anëtare të BE-së.





