Tri janë ngjarjet që javën e kaluar e kanë poshtëruar Kosovën dhe kanë dëshmuar që nuk jemi shtet serioz. Një prej tyre ka ndodhë në Serbi, konkretisht në kongresin e UEFA-s në Beograd. E dyta në Prishtinë, kur Kryeministri pranoi se e ka kuptuar që paska struktura të Serbisë që paskan ndikim në disa deputetë të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës. Tash, dorën në zemër, këto dy zhvillime, sado të pakëndshme që janë, s’është që unë prej Serbisë kam pritë diçka tjetër, ose në raport me Serbinë kam mësuar ndonjë gjë të re.
Ama prej Vjosës e Hekuranit… pra, po e kuptoni edhe vetë – Ngjarja e tretë që dëshmon se jemi shtet jo serioz është krejt hallakama që u shkaktua në komunikimin ndërmjet Presidencës dhe Qeverisë për tarifën e vendosur nga Shtetet e Bashkuara për mallrat kosovare.
Qe pak fakte dhe raportime për krejt Vjosat dhe krejt Hekuranat e kësaj Kosove që mund të mos e dinë çka është kah bëhet dhe në vend të qartësimeve politikanët iu japin mjegull, ta merr mendja ti, përnjëmend është e rëndësishme kur e kryen Hekurani orarin e punës, ose kur Vjosa hyn në rrjete sociale.
Siç dihet, Presidenti amerikan Donald J. Trump ka vendosur tarifa në mallrat e shteteve ndaj të cilave Shtetet e Bashkuara kanë deficit tregtar dhe e kanë gjetur një formulë për të vendosur tarifa ndaj këtyre shteteve.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, vlera e tarifave që Amerika aplikon ndaj vendeve është fiks gjysma e vlerës së barrierave tarifore dhe jotarifore që ato vende aplikojnë ndaj mallrave amerikane. Pra, nëse Kina, një shtet, ka tarifa dhe barriera le të themi 67%, atëherë Amerika ka tarifë 34% për mallrat e atij shteti.
Tash, në rastin e Kosovës kjo nuk vlen.
Axiosi, gjegjësisht James Suroviecki i Axiosit, e kanë publikuar edhe formulën e saktë që duket shumë shkencore sepse i ka do shkronja greqisht në të, por që ju mos me e ndërru kanalin, nuk po hyj tash me formulën e saktë, fundja garant në Kosovë e lexojmë Axiosin, nuk është që rrimë në TikTok gjithë ditën tu këqyrë budallenjtë e reality show-ve.
Arsyeja pse nuk po ndalem në formulën e saktë është se duhet të shpjegoj çka eksporton Kosova me Amerikë, çka kanë blerë amerikanët “made in Kosova”.
Qe statistika. Deri në 2019-ën nuk kanë blerë ama gati bash kurrgjë hiç. Prej 2020-ës e posaçërisht pas pandemisë, kjo rritet dhe për 4 vjet i mbërrin rreth 400 milionë eksporte.
Prej 400 milionëve, qysh po e shihni, 30% janë tekstil dhe artikuj tekstili dhe 51% të ndryshme – çfarë sistemi i mirë i klasifikimit të eksporteve tjera: plastikë, bimore, ushqim e pije, metale, tekstil dhe të ndryshme – fort efikas jemi.
Nga këto 50% të ndryshme, 49.4%, që i bie rreth 200 milionë për 4 vjet, janë dyshekë, mbajtëse të dyshekëve, jastëkë, mbuloja, e shertesa – 200 milionë për 4 vjet.
Çka kemi importu nga Amerika? Produkte minerale, kimike, kerrë e kamiona, makineri, etj. etj. Totali i importeve? Rreth 100 milionë euro. Pra, nëse e heqim masën 10% i humbim 10 milionë euro, 10 milionë – that’s it! Një ose 2 km rrugë, që edhe ashtu nuk shtrohen, më pak se një stadium që kurrë nuk u kry!
Pare të ima për buxhetin e madh me rritjen më të shpejtë e më stabile në Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm!
E tash, pas këtyre fakteve, të flasim pak për procedurën e heqjes së tarifës.
Fillimisht, kjo është punë e Presidentes, aq sa është tarifa e rrymës – me fjalë të tjera, bash hiç! A ia ndalon dikush Presidentes të propozojë dhe të avokojë për këto tema? – Askush!
A ka ndikim dhe kompetencë? – JO!
A ka protagonizëm nga i cili populli është më i hutuar? – PO!
Në Kosovë është në fuqi një dokument që titullohet LIGJ PËR MALLRAT E LIRUARA NGA TATIMI DOGANOR DHE MALLRAT ME TARIFË ZERO TË TATIMIT. Në këtë ligj është një neni 3 ku thuhet se:
Subjektet dhe mallrat e liruara nga tatimi doganor apo reduktimi ose pezullimi i tatimit doganor në zero normë, rregullohet me akt nënligjor të nxjerrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe për këtë njoftohet Kuvendi.
Dikush thotë: Cili Kuvend? S’ka Kuvend hiç, s’ka ku me u dërgu njoftimi dhe tarifa mbetet. Tash, nëse i besojmë këtij interpretimi, del që as Vjosa e as Hekurani nuk e dinë ligjin dhe nuk e dinë që s’kemi Kuvend.
Nëse Kuvendi veç njoftohet, e Qeveria vendos, i bie që për të hequr tarifën, duhet të plotësohen dy kushte:
Që Hekuran Murati të jetë në orar të punës dhe të kërkojë nga KM Kurti që të heqë tarifën dhe
Që KM Kurti ta pranojë kërkesën e Hekuranit, qoftë edhe jashtë orarit të punës – meqë kjo Qeveri shpesh ka marrë vendime jashtë orarit, për mos me thënë që në vikend është marrë me rezultat të zgjedhjeve, në Këshill të Sigurisë.
Pra, tarifa mund të hiqet, dihet kush e kërkon këtë punë, dihet kush e miraton dhe kush njoftohet dhe sa kushton!
E tash, a hiqet? – Varet prej protagonizmit politik primitiv.






