Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së tij në dy komunat shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Tetovë e Çair.
Vizita e Kurtit në dy komunat shqiptare ku takoi vetëm opozitën shqiptare atje, duke anashkaluar kështu zyrtarët qeveritarë nga radhët e shqiptarëve, ka nxitur reagime të shumta. Por reagime ka pasur edhe lidhur me vendosjen e flamujve “Autoctonis”.
Kabineti i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut thekson se, mbi të gjitha, vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishte një vizitë private. Siç raportojnë mediat atje, nga zyra e Kovaçevskit kanë njoftuar se MPB po merr masa për zbulimin e autorëve që kanë përdorur simbole të cilat i kanë cilësuar “të palejueshme” gjatë vizitës së Kurtit.
“Në çdo rast, Zyra e Kryeministrit vlerëson se vendosja e flamujve që nuk janë flamuj kombëtarë është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të shtetarëve të vendeve të huaja. Njëkohësisht, lloji i ikonografisë që vërehet në manifestim në prani të një përfaqësuesi të lartë të një shteti të huaj është i papërshtatshëm dhe i palejueshëm në një shtet anëtar të OKB-së dhe në një vend anëtar të NATO-s, dhe lidhur me këtë ju informojmë se SPB Tetovë po merr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Kryeministrit.
Po ashtu nga Zyra e Kryeministrit njoftuan se gjatë ditës ka kontaktuar me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, lidhur me ikonografinë e përmendur të përdorur gjatë vizitës private të kryeministrit të Kosovës në vend.
Në të njëjtën kohë, kabineti i kryeministrit thekson se është i dënueshëm fakti që në manifestimin e organizuar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është kënduar himni i Maqedonisë dhe nuk është vendosur flamuri kombëtar i Maqedonisë.