Inaugurohet linja e re direkte Prishtinë–Medinë: Udhëtimi do të zgjasë më pak se 4 orë

Në këtë artikull
Të gjithë të interesuarit për të vizituar Medinën, një prej qyteteve më të shenjta të Islamit, tashmë mund të udhëtojnë direkt nga Prishtina për më pak se katër orë. Të hënën u inaugurua zyrtarisht fluturimi i parë direkt mes Prishtinës dhe Medinës, një linjë e re ajrore që jo vetëm që lehtëson udhëtimin dhe kursen kohë, por edhe forcon lidhjet mes Kosovës dhe Arabisë Saudite.
Fluturimi i parë direkt nga Medina për në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë u mirëprit me ceremoninë tradicionale nën harkun e ujit. Në arritjen e parë, 60 udhëtarë zbritën në Prishtinë, ndërsa po atë ditë 170 të tjerë u nisën drejt vendit të shenjtë përmes kompanisë ajrore Flynas.
Reklamë

Kursim i dyfishtë i kohës dhe interesim i jashtëzakonshëm
Deri më tani, udhëtimi nga Prishtina në Medinë realizohej vetëm përmes ndalesave në qytete të tjera, si Stambolli, duke zgjatur të paktën shtatë orë. Me linjën e re direkte, kohëzgjatja e udhëtimit është përgjysmuar.
“Tash udhëtimi realizohet për 3 orë e 45 minuta, pa u ndalur në Stamboll apo diku tjetër si në të kaluarën,” u shpreh Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Interesimi i qytetarëve për këtë mundësi të re ka qenë i menjëhershëm. Selatin Shala, drejtor i “Way Umrah”, bëri të ditur se biletat për fluturimin e parë u shitën brenda vetëm dy ditësh për shkak të kërkesës së lartë.
Përvojën e re e mirëpritën edhe vetë udhëtarët. Një nga qytetarët që po udhëtonte për herë të parë drejt Arabisë Saudite u shpreh:
“Për mua është udhëtimi i parë. Kam dëgjuar që më herët ka qenë më vështirë, ndërsa tash direkt atje është shumë mirë.”
Një tjetër udhëtar theksoi lehtësimin e madh që sjell kjo linjë:
“Është shumë lehtësuese për ne që dëshirojmë t’i vizitojmë vendet e shenjta.”
Synimi: Aeroporti i Prishtinës si pikë hyrëse rajonale
Drejtori ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Gokhan Acikgoz, nëse e vlerësoi këtë hap si një urë lidhëse të rëndësishme mes dy vendeve.
“Besojmë se po krijojmë mundësi për qytetarët tanë dhe, gjithashtu, po forcojmë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Arabisë Saudite. Ambicia jonë kryesore është ta shndërrojmë aeroportin tonë në një pikë hyrëse rajonale. E kemi këtë potencial dhe po punojmë shumë për këtë,” deklaroi Acikgoz.
Fluturimet direkte nga Prishtina drejt Medinës dhe anasjelltas do të realizohen rregullisht një herë në javë.











