Bayern Munich ka siguruar titullin kampion në Bundesliga për herë të 35-të në histori, pas fitores 4-2 ndaj Stuttgart në “Allianz Arena”.
Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany ka përmbysur rezultatin, pasi fillimisht ka mbetur në disavantazh nga goli i Chris Fuhrich në minutën e 21-të.
Titulli u vulos katër javë para përfundimit të kampionatit, edhe falë humbjes së Borussia Dortmund ndaj Hoffenheim, duke e bërë këtë një nga fitoret më të shpejta të titullit në historinë e Bundesliga-s. Bayern gjithashtu ka shënuar 109 gola në ligë, një rekord i ri.
Megjithatë, Kompany nuk dëshiron që skuadra të ndalet këtu. Ai e ka zhvendosur menjëherë fokusin te objektivat e mbetur, duke nisur me gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Bayer Leverkusen dhe më pas përballjen e madhe në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain. “Ndjehet shumë mirë. Për mua, çdo titull është i pari. Duhet t’i shijojmë këto momente, sepse pas tyre ka shumë punë”, ka thënë ai.
“Sezoni nuk ka përfunduar ende. Ka ende trofe për t’u fituar. PSG në Ligën e Kampionëve është ndoshta sfida më e vështirë, por para kësaj kemi Leverkusenin”.
Ai shtoi se skuadra do të festojë, por me masë, duke mbajtur fokusin maksimal për ndeshjet e ardhshme.
Bayern nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Gjermanisë që nga sezoni 2019/20, nën drejtimin e Hansi Flick, por këtë herë duket në një pozicion të mirë për t’i dhënë fund pritjes dhe për të synuar një sezon historik.






