Klubi i Futbollit FC Besa Peja ka reaguar publikisht pas ndeshjes së zhvilluar në Ferizaj, duke shprehur shqetësim për zhvillimin e takimit dhe duke kërkuar trajtim të drejtë në garat sportive. Në reagimin e klubit thuhet se, ndonëse zakonisht ata zgjedhin të flasin vetëm përmes lojës dhe rezultateve, ngjarjet e fundit i kanë detyruar të dalin publikisht. “Ajo që ndodhi dje në Ferizaj na detyron të reagojmë, sepse tejkalon çdo kufi të pranueshëm për një garë sportive të drejtë dhe të ndershme”, thuhet në deklaratën e klubit.
Klubi nga Peja thekson se deri në momentin kur skuadra e tyre filloi të avanconte në rezultat, loja ishte e barabartë. “Ekipi ynë ishte i organizuar, konkurrues dhe i barabartë në çdo aspekt të lojës. Por, pas këtij momenti, loja mori një rrjedhë që nuk ka lidhje me futbollin që ne përfaqësojmë”, theksohet në reagim.
Më tej, Besa pretendon për ndërhyrje të rënda ndaj lojtarëve dhe ndikim në vendimet e gjyqtarit. “U lejuan ndërhyrje të rënda ndaj lojtarëve tanë pa top, ndërsa vendimet në fushë filluan të ndikohen në mënyrë të dukshme”, thuhet ndër të tjera, duke shtuar se si pasojë e këtyre situatave, janë detyruar të bëjnë zëvendësime për shkak të lëndimeve që, sipas tyre, nuk janë sanksionuar siç duhet.






