​Viktimat e dhunës seksuale nuk i gëzojnë të gjitha benefitet

Viktimat e dhunës seksuale nuk gëzojnë benefite siç ndodhë me kategoritë e tjera të dala nga lufta. Edhe ato të cilat janë përcaktuar me ligj, nuk po realizohen në mungesë të procedurave që e sigurojnë konfidencialitetin. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës konsideron se përveç pensionit prej 230 eurosh, gratë e burrat e dhunuar gjatë luftës e kanë pothuajse të pamundur të realizojnë të drejtat tjera.

Sipas drejtoreshës, Feride Rushiti, të mbijetuarit duhet të posedojnë një ID, ku do të identifikohen si viktima civile, procedura të cilat nuk kanë nisur të zbatohen. Veç tjerash, ajo në intervistën për KosovaPress flet edhe për shërbimet shëndetësore falas brenda shtetit, për të cilat thotë se nuk sigurohen me ligjin aktual.

Rushiti thotë se përkundër kategorive të tjera të dala nga lufta, viktimat e dhunës seksuale ballafaqohen me stigmë dhe paragjykim.

“Të mbijetuarat e dhunës seksuale deri më sot e gëzojnë vetëm pensionin personal, për faktin që e kanë të vështirë apo pothuajse të pamundur që të realizojnë të drejtat e tjera në nivel lokal, nivel të komunës që ato njihen me emër dhe mbiemër, ju njihen familjarët e tyre. Vetëm e vetëm për të mos shpalosur veten dhe të pësojë jo vetëm ajo, por edhe familja, ato nuk shkojnë për të përfituar të drejtat e tyre ashtu siç parashihen me ligj”, deklaron ajo.

Rushiti shton se prej vitit 2014 kanë mbështetur dy rregullore, të cilat e rregullojnë kartelizimin e të gjitha kategorive nga Ligji për Vlerat e Luftës.

“Në periudhën kur është ndërtuar skema e reparacionit apo ndihma e shtetit në raport me këtë grup të ndjeshëm shoqëror, është diskutuar shumë me të mbijetuarit e dhunës seksuale se si munden ato të përfitojnë të drejtat e tjera që ia siguron ligji. Qoftë për përparësi në punësim, qoftë përparësi në strehim social, qoftë për të drejtat e tjera si lirimi nga disa tatime në nivel të komunës dhe mënyra e vetme në atë kohë qysh është adresuar kjo çështje, është menduar që të mbijetuarat e dhunës seksuale me pas një ID ku ato dalin në fund si viktima civile. Pra, mos të shpaloset statusi i tyre si viktimë e dhunës seksuale, për faktin që ende në familje ekziston stigmatizimi edhe në mënyrën se si e trajtojnë këtë plagë të luftës”, shton ajo.

Në mungesë të kartelizimit, Rushiti shton se gratë e burrat nuk mund të shkojnë pranë institucioneve apo strukturave lokale që të përfitojnë. Kjo ndodhë për shkak të frikës se do të identifikohen se kush janë.

“Mund të them me bindje të plotë edhe prej përvojës edhe prej gjitha kërkesave që i kemi këtu në organizatë, që të mbijetuarat e dhunës seksuale në qoftë se nuk kartelizohen dhe nuk fillon ky proces që ne jemi duke avokuar, nuk munden asnjëherë të shkojnë pranë institucioneve apo strukturave lokale për të përfituar”, shprehet ajo.

Në anën tjetër, gratë e burrat e Kosovës të cilët janë dhunuar seksualisht gjatë luftës, ajo thekson se nuk gëzojnë shërbime shëndetësore falas brenda vendit.

“Shërbimet shëndetësore primare, sekondare dhe terciare nuk ju sigurohen me Ligjin aktual për Vlerat e Luftës. Është pak paradoksale të thuhet që ju sigurohet trajtimi jashtë shtetit, në rast se sëmundja si e tillë nuk mund të trajtohet brenda vendit por është e ndërlidhur me torturën apo dhunimin që ato e kanë përjetuar gjatë luftës. Nuk mundet një e mbijetuar e dhunës seksuale të pres të përfitojë jashtë shtetit, kur nuk i përfiton shërbimet shëndetësore brenda shtetit… Dhunimi si i tillë ka qenë shumë i vrazhdë, për shembull ka momente kur gratë që vuajnë prej shpinës sepse unazat i kanë të shkatërruara komplet për shkak të natyrës së dhunimit që është ushtruar në trupin e saj. Pastaj ka momente kur i ka lënduar në sy, ia kanë dëmtuar veshin, ia kanë dëmtuar dorën. Përveç pasojave mendore e psikologjike, ato bartin edhe pasoja fizike që kanë nevojë për shërbime shëndetësore”, shprehet ajo.

Drejtoresha e QKRMT-së thotë se janë duke punuar që të krijojnë një plan avokues për të drejtat e tjera që u takojnë viktimave të dhunës seksuale.

Përveç pensionit personal, me ligj janë të parapara edhe beneficionet të tjera si: Shërbime shëndetësore jashtë vendit, përparësi në punësim në ndërmarrjet e sektorit publik dhe privat, lirimi nga tatimi në pronë, përkujdesja për banim dhe përparësi për realizimin e të drejtës në strehim familjar. /KP

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA