Pak hapësira të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës monitorohen nga kamerat e sigurisë.
Një ndër këto hapësira që mungojnë kamerat, është edhe pjesa e pranimit të pacientëve për shërbime mjekësore në Klinikën e ORL-së.
Mosmonitorim ka edhe në barnatoren e Klinikës së Internos.
Pacientët e familjarë të tyre thonë se Klinikat e QKUK-së, e sidomos barnatoret furnizuese të klinikave, duhet të kenë kamera të sigurisë, për t’i evidentuar parregullsitë.
“Patjetër që duhet të rritet numri i kamerave të sigurisë, se çdo gjë mandej është nën përcjellje, e normal që gjërat vërehen më mirë”, thotë një familjar.
“Jemi 5-6 të shtrirë në dhomë, jemi bërë si familje, por kamera të sigurisë duhet të ketë edhe nëpër dhoma”, tha Fahri Zeqiri, pacient .
Madje, sipas njohësit të sigurisë, Drizan Shala, menaxhmenti i ri i SHKUK-së duhet sa më parë të marrë vendim për vendosjen e kamerave të sigurisë, sidomos në disa pjesë që është më se e nevojshme.
“Sa i përket mosmonitorimit të kamerave të sigurisë në QKUK, unë mendoj se është një problematikë me të cilën do të duhej të merrej menaxhmenti i ri i SHSKUK-së. Sepse nuk duhet të lejohet që në disa pjesë të mos ketë kamera të sigurisë”, tha Drizan Shala, njohës i fushës së sigurisë.
Ndërkohë, drejtoria e SHSKUK-së, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, i ka thënë ATV-së se vetëm 50 % e hapësirave në QKUK, janë të monitoruara nga kamerat e sigurisë.
“Në QKUK i kemi të mbuluara 50% të hapësirave, përfshirë hapësirat e brendshme dhe ato të jashtme. Klinikat që posedojnë kamera, i kanë të vendosura vetëm në korridore, sepse nuk lejohet të vendosen në hapësira ku ka pacientë. I kemi dy dhoma të monitorimit, të cilat monitorohen nga 1 punonjës i IT-së”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së SHSKUK-së.
SHSKUK-ja ka bërë të ditur se në të ardhmen parashihet rritja e numrit të kamerave, gradualisht sipas planit të saj. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë: