Rrëfimi i parë publik i një burri të dhunuar seksualisht gjatë luftës, sipas vëllait të Vasfije Krasniqi-Goodman, po e kompleton mozaikun e dëshmive për rrugën drejt lirisë. Nafi Krasniqi ka thënë se rrëfimi i Ramadan Nishorit është dëshmi se “dhuna seksuale nuk njeh gjini dhe se lufta nuk kursen askënd dhe ajo zhvesh çdo njeri nga identiteti i tij”.
Sipas tij, rrëfimi për luftën e viteve 1998–99 është ndërtuar kryesisht mbi heroizmin e popullit shqiptar, duke pasur pak hapësirë për diskutimin dhe trajtimin e krimeve si dhuna seksuale.
Më poshtë lexoni shkrimin e plotë:
Kujtesa kolektive dhe rrëfimi gjysmak i luftës
Kujtesa kolektive, si koncept shoqëror, përfaqëson përpjekjen e një shoqërie për të ndërtuar, ruajtur dhe riprodhuar kujtimet e përbashkëta mbi të kaluarën.
Ndërkohë, kujtimet personale, ndonëse subjektive, shpeshherë nuk mund të shprehen ashtu siç ishin, e nëse shprehen ato i nënshtrohen një strukturimi dhe riformësimi si rezultat i ndikimeve të jashtme.
Në vendet post-konfliktuale të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, ndërtimi i kujtesës kolektive shpesh shoqërohet me përzgjedhje selektive. Në vend të një qasjeje gjithëpërfshirëse, ndodh selektimi i ngjarjeve, veprimeve apo përvojave që përputhen me narrativën heroike. Kështu, shpërfillen zëra të shumtë dhe krijohet një “rrëfim i ngushtë” për heroizmat, i cili, në mënyrë të pavetëdijshme, minimizon sakrificën e popullit për liri dhe redukton shumëdimensionalitetin dhe realitetin e luftës. Ky lloj rrëfimi, i ndërtuar mbi heroizmin dhe rezistencën, është i kuptueshëm në rrethanat e një populli me një të kaluar të shtypur dhe të traumatizuar. Megjithatë, ai bëhet problem dhe pengesë kur dominon mbi të vërtetën dhe përdoret për të heshtur dhe shtypur përvojat e dhimbshme të mijëra viktimave civile, veçanërisht të atyre që kanë përjetuar dhunë seksuale. Në këtë mënyrë, krijohet një “rrëfim gjysmak” i luftës, një narrativë që lë jashtë segmente thelbësore të vuajtjes dhe dhimbjes kolektive, e ku në të ardhmen, mund të rezultojë i dëmshëm për të vërtetën historike.
Në vend që e kaluara të na shërbejë si një burim gjithëpërfshirës prej nga dalin mësime për paqen, drejtësinë dhe progresin shoqëror, ajo përmes “rrëfimit gjysmak” shndërrohet në një instrument që synon të riformulojë narracionin për luftën dhe pasojat e saj.
Prandaj, nëse kujtesa kolektive përdoret për të mbrojtur identitetin përmes mohimit të së kaluarës së dhimbshme, ajo nuk kontribuon në njohjen e së vërtetës por në devijimin e historisë, gjithashtu nuk kontribuon në shërimin kolektiv, por në thellimin e traumës, fshehjen e krimeve dhe, rrjedhimisht, në amnistimin e kryerësve të tyre.
Në rastin e Kosovës, rrëfimi për luftën e viteve 1998–99 është ndërtuar kryesisht mbi heroizmin e popullit shqiptar. Kjo qasje, ndonëse e kuptueshme në kontekstin e një populli të shtypur për dekada, ka lënë shumë pak hapësirë për diskutimin dhe trajtimin e krimeve si dhuna seksuale. Kësisoj, jo vetëm që janë amnistuar kryerësit e këtyre krimeve, por është mohuar një segment dhe një kategori e rëndësishme e sakrificës për liri.
Organizatat që kanë punuar me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë inkurajuar të mbijetuarat të thyejnë heshtjen. Zëra të fuqishëm si Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyrete Tahiri dhe tani, Ramadan Nishori, kanë dëshmuar publikisht për përjetimet e tyre. Rrëfimet e tyre jo vetëm që i japin zë një të vërtete të heshtur, por dëshmojnë se këto viktima kanë emra, kanë identitet dhe janë pjesë e gjallë e shoqërisë sonë dhe nuk mund të injorohen më.
Megjithatë, këto përpjekje përballen me rezistencë të fortë e të vazhdueshme individuale, familjare dhe komunitare. Stigma, segregimi dhe paragjykimet, frika etj., vazhdojnë të jenë të pranishme në shoqërinë tonë, duke i penguar të mbijetuarit të kërkojnë drejtësi, shërim apo, thjesht, të dëgjohen. Pavarësisht kësaj, janë bërë hapa të rëndësishëm drejt ngritjes së një vetëdije më të gjerë publike dhe institucionale.
Këto zhvillime përbëjnë një kontribut të rëndësishëm drejt përmbushjes së “mozaikut të sakrificës për liri”.
Kujtesa kolektive për luftën e fundit në Kosovë mund të shndërrohet në një pasqyrim të vërtetë të rrugëtimit tonë për liri dhe në një themel mbi të cilin ndërtohet procesi i shërimit të shoqërisë nga traumat e luftës.
Rrëfimi i Ramadan Nishorit është dëshmi se dhuna seksuale nuk njeh gjini dhe se lufta nuk kursen askënd dhe ajo zhvesh çdo njeri nga identiteti i tij. Trupat njerëzorë, pavarësisht gjinisë, shndërrohen në fushë betejë të pushtueshme mbi të cilin ushtrohet dhunë për qëllime politike. Por Ramadani nuk është vetëm trup. Ai është kujtesë. Është dëshmi që flet, ndonëse i është dashur një jetë e tërë për ta bërë këtë. Zëri i tij dje, sot, nesër dhe përgjithmonë do të jetë i domosdoshëm për të thënë se “Unë, sot dua që njerëzit të më shohin si një njeri që kam kaluar nëpër shumë gjëra, jam munduar shumë. Por nuk jam thyer kurrë. Nuk dua që njerëzit të më shohin me keqardhje për dhunën që kam përjetuar, por me respekt si një njeri që ka luftuar shumë për të mbijetuar, dhe turpi, u takon atyre që kanë kryer krimin”. Me këtë rrëfim, dhe rrëfime të tjera do të kompletohet mozaiku i rrëfimit për rrugën tonë drejtë lirisë.
Faleminderit Dan, që u rrëfeve!