Vedat Muriqi ka hyrë në historinë e RCD Mallorca, pasi është bërë golashënuesi më i mirë i klubit në La Liga, duke kaluar legjendën Samuel Eto’o.
Sulmuesi kosovar arriti këtë rekord pas dy golave të shënuar ndaj Rayo Vallecano, duke shkuar në kuotën e 55 golave me fanellën e klubit, një më shumë se Eto’o.
Pas ndeshjes, Muriqi u nderua në muzeun e klubit, ku vendosi edhe këpucët e tij si simbol i këtij momenti historik. Mallorca publikoi një video nga vizita e tij, duke shkruar: “Këpucët historike shkojnë direkt në muzeun e Mallorca-s.”
Forma e mirë e Muriqit po vazhdon edhe në garën për golashënuesin më të mirë të sezonit. Me 21 gola të realizuar, ai ndodhet pranë liderit Kylian Mbappé dhe mbetet në garë të fortë për “Këpucën e Artë” në La Liga.






