Conceicao pranë rikthimit në stol, Fenerbahce arrin marrëveshje me ish-trajnerin e Milanit

Sergio Conceicao është shumë pranë një aventure të re në futbollin evropian, pasi trajneri portugez pritet të marrë drejtimin e gjigantit turk, Fenerbahce.
Ish-trajneri i Milanit raportohet se ka arritur marrëveshje me klubin nga Stambolli dhe tashmë pritet të udhëtojë drejt Turqisë në ditët e ardhshme, për të përmbyllur procedurat e fundit dhe për të zyrtarizuar emërimin e tij.
Reklamë
Lajmi është raportuar nga mediumi turk “Haberturk”, i cili bën të ditur se drejtuesit e Fenerbahces dhe tekniku portugez kanë gjetur gjuhën e përbashkët për bashkëpunimin.
Fenerbahce po kërkon një trajner të ri që mund ta rikthejë skuadrën në rezultate pozitive, pas një periudhe jo të mirë dhe ndarjes së rrugëve me Ismail Kartalin më 27 tetor. Ndërkohë, drejtimin e ekipit deri më tani e ka marrë përkohësisht Dirk Kuyt.
Conceicao ka qenë një prej kandidatëve kryesorë të drejtuesve turq, të cilët fillimisht kishin shqyrtuar edhe mundësinë e angazhimit të trajnerit gjerman Julian Nagelsmann. Megjithatë, bisedimet me këtë të fundit nuk përfunduan me marrëveshje, duke bërë që vëmendja të përqendrohej te portugezi.
Sipas raportimeve të fundit, marrëveshja mes palëve parasheh një kontratë 18-mujore, ndërsa Fenerbahce dëshiron që Conceicao të jetë në Stamboll para përballjes së Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit, e cila është planifikuar të zhvillohet më 4 nëntor.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, trajneri portugez do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë në krye të një prej klubeve më të mëdha të futbollit turk.
Reklamë







