Hamilton rikthehet te polemikat në Ferrari: Duhet të mësojmë nga gabimet

Tensionet brenda Ferrarit vazhdojnë edhe pas garës së zhvilluar në Meksikë, ku incidenti mes Lewis Hamiltonit dhe Charles Leclercit ka shkaktuar polemika të shumta.
Pas kritikave të drejtpërdrejta ndaj shokut të skuadrës, shtatë herë kampioni i botës ka reaguar sërish përmes një mesazhi në rrjetet sociale, pa e përmendur konkretisht pilotin nga Monako.
Reklamë
Hamilton theksoi se kontakti në pistë i kushtoi Ferrarit mundësinë për të luftuar për fitoren, duke nënvizuar se rivaliteti mes pilotëve nuk duhet të dëmtojë interesat e përbashkëta të ekipit.
Britaniku e cilësoi fundjavën në Meksikë si jashtëzakonisht zhgënjyese, sidomos duke marrë parasysh punën e madhe të inxhinierëve dhe mekanikëve për ta vendosur skuadrën në pozitë për të fituar.
Ai kërkoi më shumë përgjegjësi dhe sinqeritet brenda ekipit, duke theksuar se gabimet duhet të shërbejnë si mësim për të ardhmen.
Pavarësisht spekulimeve për një largim të mundshëm nga Ferrari, Hamilton rikonfirmoi besimin e tij te skuadra italiane, duke kujtuar se kontrata e tij është deri në vitin 2027.
“Jam ende në fillim të rrugëtimit tim me këtë skuadër dhe kemi ende shumë për të ndërtuar së bashku”, deklaroi britaniku.
Ai shtoi se do të vazhdojë të japë maksimumin për Ferrarin dhe se ndihet përgjegjës për ta ndihmuar ekipin të rikthehet te rezultatet e dëshiruara.
Reklamë







