Nga Qendra Klinike dhe Univeristare e Kosovës kanë dhënë detaje lidhur me punëtorin e KEK-ut, Milazim Binaku, i cili ka vdekur si pasojë e lëndimeve që kishte marrë në vendin e punës.
Që nga lëndimi i rëndë i tij, para rreth një jave, ai ka qenë duke u mjekuar në kujdesin intensiv të QKUK-së.
Por, nga kjo klinikë kanë thënë për Klankosova.tv se pacienti nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe se ka vdekur gjatë natës së mbrëmshme.
“Po fatkeqësisht pacienti që ju i referoheni nuk ka arrit t’u mbijetojë plagëve dhe i njëjti gjatë natës ka ndërruar jetë”, ka thënë për Klankosova.tv, shefi i Mjekimit Intensiv Qendror, Shaqir Uka.
Për vdekjen e tij, ka njoftuar edhe Sindikata e KEK-ut.
“Njoftojmë të gjithë punëtorët e KEK-ut se, një javë pas lëndimit që pësoi në vendin e punës, u nda nga jeta shoku, kolegu dhe bashkëpunëtori ynë i nderuar, Milazim Binaku. Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Binaku, të afërmve, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të dhe u prehtë në paqe.”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
Ndryshe, 60-vjeçari ishte lënduar rëndë, pasi ishte goditur në kokë nga një mjet i fortë, teksa ishte duke punuar në Kosovamont, në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës.






