Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Mekanizmi” në Sarandë, ku është arrestuar një 31-vjeçar i dyshuar për transportimin e armëve të zjarrit.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni u zhvillua si rezultat i një hetimi me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e personave që dyshohet se përbëjnë rrezik për sigurinë publike.
Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi me inicialet K. B., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Policia bëri të ditur se automjeti që drejtonte i riu ishte mbajtur nën vëzhgim dhe ndalimi i tij u krye në tunelin e Skërficës.
“Nga kontrollet në automjet u gjetën të fshehura në dysheme 4 armë zjarri (pistoleta), që dyshohet se janë trafikuar në Shqipëri në pjesë dhe janë montuar më pas, me qëllim shitjen te një grup kriminal në Sarandë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Sipas hetimeve paraprake, armët dyshohet se ishin destinuar për t’u shitur te një grup kriminal në zonën e Sarandës.
Gjatë operacionit janë sekuestruar armët e zjarrit dhe automjeti i të arrestuarit, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/






