Përgatiti: Armand Hoti
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, pritet ta vazhdojë një punë që i mbeti në gjysmë të premten.
Javën e kaluar, ai e vizitoi fizikisht objektin ku ndodhet selia qendrore e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa për të hënën, vetëm e la një paralajmërim.
Çfarë do të bëjë nuk dihet, por në vizitën e fundit tregoi se ia ktheu Ministrisë së Bujqësisë, 600 metrat katrorë të këtij objekti.
Nga Aleanca kanë kritika për ministrin se si hyri në ndërtesën që gjendet në lagjen Ulpiana.
“Ka hyrë tinëz, pa e njoftuar askënd, ka bërë shpejtë foto dhe ka ikur. Ministri mund të vijë ta vizitojë objektin, por duhet të jetë transparent, mos të vijë fshehurazi, dhe ne e presim. Atë ditë është ndërruar roja, nuk e ka njohur. Ne kemi qenë në objekt në zyrat tona dhe vetëm e kemi parë postimin e ministrit”, tha zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli.
Të drejtën për ta shfrytëzuar katin përdhesë dhe të parin, AAK e arsyeton me kontratën e lidhur me ministrinë.
600 metrat katror, në të cilët po aludon Ministri, thuhet se nuk shfrytëzohen nga partia opozitare.
“Ministri po dezinformon për shkak se e ka fjalën për podrumin dhe katin e fundit. Ne i kemi 569 metra katror që i shfrytëzojmë, që janë kati përdhesë dhe kati 1. 600 metra janë podrumi dhe kati i fundit”, tha Xhemajli.
Që nga marsi i 2018-ës kur stafi i Aleancës u vendos në zyrat e reja e deri në mars të 2023-ës, AAK i ka paguar Ministrisë së Bujqësisë qera prej 2400 eurosh.
Në nëntor të vitit të kaluar, kontrata mes Ministrisë dhe AAK-së u vazhdua, por kësaj here partia paguan mbi 4500 euro.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: