Përgatiti: Armand Hoti
Pa llogaritur kontributet dhe tatimet, “Telekomi” i Kosovës shpenzon rreth 1.3 milionë euro në muaj, për t’i paguar rreth 1800 punëtorë.
Pagat e marsit, ndërmarrja e pati të pamundur t’i ekzekutojë, meqë llogaritë iu bllokuan për shkak të një konteksti përmbarimor.
“Të gjithë ne kemi familje, 90 për qind nga ne jemi në kredi, dhe unë për vete kam marrë mesazh nga banka për mospagesën e kredisë”, tha kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.
Kompania “Dardafon” përmes procedurës përmbarimore, deri tani ka arritur të marrë 2.1 milion euro nga llogaria e “Telekomit” të Kosovës.
Referuar vendimit të marrë në shkurt nga shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, ndërmarrja publike i detyrohet “Dardafonit”, një shumë prej mbi 5.7 milionë eurosh.
Drejtori financiar i Telekomit, Feim Kelmendi, thotë se për vendimin e shkallës së parë të Komerciales, “Telekomi” është ankuar në shkallën e dytë të Gjykatës.
Gjatë 30 ditëve sa ka marrë kohë që gjykatësi i shkallës së parë, ta procedojë ankesën në shkallën e dytë, “Dardafoni” i mori 2.1 milionët nga “Telekomi”.
“Ankesa e shkallës së dytë shkon përmes shkallës së parë, tani ky gjykatësi i shkallës së parë e ka mbajtur 30 ditë ankesën në sirtarë, nuk e ka dorëzuar në shkallën e dytë, normalisht që kjo nuk është shkelje ligjore sepse me ligj i lejohet 30 ditë, por duke e ditur rëndësinë e çështjes ka mundur ta dorëzojë menjëherë… brenda këtij afati 30 ditësh janë marrë ato 2.1 milion”, tha Kelmendi.
Aktualisht, pjesa tjetër e mjeteve është e sigurt, meqë përmbaruesi, i cili bllokoi llogaritë e ndërmarrjes, vazhdon të jetë i suspenduar.
Edhe nëse “Telekomi” e fiton rastin, ekziston rreziku potencial që mjetet e marra nga “Dardafoni”, të mos kthehen.
“Me dijeninë tonë, kjo kompani nuk ka asnjë aset, do të thotë rreziku është që ata t’i marrin mjetet dhe ne mos të mundë t’i kthejmë përmes procedurave ligjore, edhe pse kemi të drejtë, nuk kemi si t’i kthejmë”, tha Kelmendi.
Bllokimi i xhirollogarive të ndërmarrjes, pamundëson edhe kryerjen e pagesave që ndërmarrja iu detyrohet kontraktorëve.
“Shfrytëzoj edhe këtë intervistë që t’u bëjë thirrje të gjithë kontraktorëve, që të kenë mirëkuptim dhe të kenë besim te ne”, tha Kelmendi.
Kompania private “Dardafon” vazhdon të kërkojë mjete të tjera nga “Telekomi”, duke u bazuar në vendimin e arbitrazhit, të vitit 2016.
Ndërkaq, nga “Telekomi” thonë se vendimi i Arbitrazhit detyronte ndërmarrjen publike t’i paguante “Dardafon-it”, 27 milionë euro, kurse Telekomi kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafon”-it.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: