Shefi i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME), Genc Metaj ka deklaruar se menjëherë pas marrjes së informacionit për rastin e mërgimtarit 33-vjeçar, i cili dyshohet se është hedhur nga ura në liqenin e Ujmanit, janë angazhuar të gjitha ekipet për kërkim dhe shpëtim.
Ai shtoi se AME, si organ koordinues në situata emergjente ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
Megjithatë, siç tha ai për shkak të kapaciteteve të kufizuara, deri tani nuk është arritur të gjendet trupi i pajetë.
“Agjencia e Menaxhimit Emergjent me të marr vesh me Policinë menjëherë i ka angazhuar ekipet e AME-së, njësitet e zjarrfikësve… policia ka qenë non stop. I kemi angazhuar Shoqatën e Kosovës për kërkim, shpëtim. Gjithashtu kanë qenë të angazhuar dhe klubi i zhytjes ‘Trepça’. Agjencia si koordinuese e veprimeve në rastet emergjente i ka marrë të gjitha masat, mirëpo me kapacitetet aktuale të cilat i kemi pasur nuk kemi arrit me pas një sukses për me arrit me gjet trupin e personit të humbur dhe me këtë arsye me veprime ndërinstitucionale i kemi marrë të gjitha veprimet dhe kemi kërkuar angazhimin e FSK-së, të cilët sot kanë ardhë dhe janë duke e kryer punën e vet në liqen”, ka thënë Metaj, duke shtuar se të hënën kanë bërë kërkesë për ndërhyrjen e FSK-së.
Ndërkohë, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së veriut, Veton Elshani, konfirmoi se Policia e Kosovës është e përfshirë në operacion dhe po ofron asistencën e nevojshme.
“Policia është këtu për të asistuar, ndërsa udhëheqja e operacionit i takon AME-së. Me ardhjen e FSK-së, presim që të paktën trupi të gjendet, në mënyrë që të zbutet sadopak dhimbja e familjes që ka humbur një anëtar të saj”, u shpreh Elshani.
Ndryshe, sot në orët e mëngjesit erdhën në ndihmë njësitet e specializuara të FSK-së, ndërsa që nga dita e diela kanë qenë të angazhuara njësite të Policisë së Kosovës, ekipet e kërkim-shpëtimit si dhe zhytës profesionistë, të cilët po punojnë pa ndërprerë për lokalizimin e trupit, por deri tani, përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat.