Autizmi është një çrregullim neurozhvillimor që ndikon në mënyrën se si një person komunikon, ndërvepron me të tjerët dhe përjeton botën përreth. Ai është pjesë e spektrit të gjerë të zhvillimit, që do të thotë se shfaqet në forma dhe nivele të ndryshme tek individë të ndryshëm, duke përfshirë sfida në komunikim social, sjellje të përsëritura dhe interesa të kufizuara, por edhe aftësi dhe potenciale unike.
Megjithatë, rreth autizmit vazhdojnë të ekzistojnë shumë keqkuptime dhe mite të përhapura. Ndër më të zakonshmet janë pretendimet e pabazuara se vaksinat shkaktojnë autizëm apo se ai është rezultat i prindërimit të dobët. Këto ide janë hedhur poshtë nga kërkimet shkencore!
Në emisionin “LIBERO” u diskutua lidhur me këtë çështje dhe për sa i takon lidhjes së pretenduar mes vaksinave dhe autizmit, psikologia Dafina Daka theksoi se ky keqkuptim ka ndikuar drejtpërdrejt në vendimet e shumë prindërve… Sipas saj, hezitimi për vaksinim apo shtyrja e tij pas moshës dyvjeçare i ekspozon fëmijët ndaj sëmundjeve serioze si fruthi, i cili mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin.
“Ky keqkuptim i ka nxitur shumë prindër të rinj që të mos i vaksinojnë foshnjat e tyre, ose ta shtyjnë vaksinimin. Kjo i rrezikon drejtpërdrejt nga sëmundje të rënda. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se shkenca asnjëherë nuk ka vërtetuar që vaksinat shkaktojnë autizëm. Kjo ka qenë vetëm një teori e pavërtetuar”, theksoi Daka.
Vlen ta përmendin se sipas OBSH-së, nuk ka lidhje shkencore mes vaksinave dhe autizmit (meta-analizë e 2025) – Një rishikim i gjerë i të dhënave (mbi 1.2 milion fëmijë) nuk gjeti asnjë rritje rreziku për autizëm nga vaksinat ose përbërësit e tyre.
Ndërkohë edhe për sa i takon keqkuptimit se autizmi shkaktohet nga prindërimi i keq, OBSH ka shpjeguar se autizmi nuk shkaktohet nga mënyra e rritjes së fëmijës… DHE në lidhje me këtë logopedia Reita Shabani sqaroi natyrën e autizmit, duke kundërshtuar bindjet e gabuara që lidhen me faktorë të jashtëm si prindërimi.
“…Autizmi është një çrregullim neurozhvillimor dhe nuk ka të bëjë me mënyrën e rritjes apo faktorë të tillë njerëzorë…”, u shpreh ajo.
Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:






