Turma të mëdha njerëzish janë mbledhur në Teheran të mërkurën për të marrë pjesë në ceremonitë e varrimit të presidentit iranian Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, dhe zyrtarëve të tjerë që humbën jetën nga rrëzimi i një helikopteri më 19 maj.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili shpalli pesë ditë zie, i udhëhoqi ceremonitë, të cilat nisën në Universitetin e Teheranit në qendër të kryeqytetit, ku u mblodhën mijëra njerëz duke mbajtur në dorë portrete të Raisit.
“O Allah, nga ai pamë vetëm mirë”, tha Khamenei për Raisin. Njerëzit u afruan për t’i prekur arkivolet, afër të të cilave qëndronte presidenti në detyrë i Iranit, Mohammad Mokhaber.
Arkivolet e Raisit dhe viktimave të tjera të rrëzimit të helikopterit u sollën në Teheran me nderime më 21 maj. Ato u mbështjellën me flamuj iranianë dhe mbi to u vendosën fotografitë e tyre. Mbi arkivolin e Raisit u vendos një çallmë e zezë për të shënuar gjoja prejardhjen e tij të drejtpërdrejt nga Profeti Muhamed.
Përveç liderëve kryesorë të Iranit, në ceremoni morën pjesë edhe disa personalitete të huaja, përfshirë kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe një delegacion nga udhëheqësit talibanë të Afganistanit, i udhëhequr nga ministri i Jashtëm, Amir Khan Mutaqqi.
Ismail Haniyeh, lideri i Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – u pa gjatë transmetimit drejtpërdrejt duke marrë pjesë në ceremoni gjithashtu.
Irani e ka armatosur dhe mbështetur Hamasin gjatë luftës së tanishme me Izraelin në Rripin e Gazës.
I pranishëm ishte edhe Sheik Naim Qassem, zëvendëslideri i Hezbollahut, grupit libanez që mbështetet nga Irani.
Raportohet se turma brohoriti “Vdekje Izraelit”.
Ceremonitë e varrimit nisën më 21 maj në qendrën klerikale shiite Kom dhe në Tabriz, kryeqytetin e Provincës Azerbajxhani Lindor të Iranit, ku u rrëzua helikopteri më 19 maj, ku morën pjesë mijëra njerëz.
Khamenei e emëroi Mohammad Mokhberin, i cili shërbeu si zëvendëspresident i Raisit, në detyrën e presidentit të përkohshëm./REL/