Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të dielën se vendi i tij “gati” i ka dhënë fund pezullimit të ndarjes së të dhënave të inteligjencës me Ukrainën dhe se ai pret rezultate të mira nga bisedimet me zyrtarët ukrainas në Arabinë Saudite.
Kur u pyet nëse do ta shqyrtonte pezullimin e vendimit për ndërprerjen e ndarjes së të dhënave të inteligjencës me Kievin, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha: “Ne gati e kemi bërë, gati e kemi bërë”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), John Ratcliffe, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara e kishin ndërprerë ndarjen e të dhënave të inteligjencës me Ukrainën, duke ia shtuar presionin presidentit Volodymyr Zelensky për të bashkëpunuar me Trumpin për organizimin e bisedimeve të paqes me Rusinë.
Zyrtarë amerikanë do të takohen të martën me një delegacion ukrainas në Arabinë Saudite pjesërisht për të përcaktuar nëse Ukraina është e gatshme për të bërë koncesione konkrete ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës. Pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe marrëveshja për mineralet e rralla të Ukrainës.
Presidenti amerikan shprehu optimizëm për këto bisedime. “Ne do të bëjmë shumë progres, besoj, këtë javë” – tha ai.
Trumpi dhe Zelensky pritej ta nënshkruanin marrëveshjen për mineralet para se vizita e Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë të shndërrohej në përplasje mes dy udhëheqësve. Pas përplasjes, pakti për mineralet nuk u nënshkrua, përcjell gazeta “Nacionale”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha të dielën se mendon që Ukraina do ta nënshkruajë marrëveshjen për mineralet, në të cilën Kievi dëshiron që të përfshihet e një garanci sigurie nga ShBA-ja.
“Ata do ta nënshkruajnë marrëveshjen për mineralet, por unë dua që ata ta dëshirojnë paqen… Ata nuk e kanë shfaqur këtë në nivelin që do të duhej” – tha Trumpi.
Presidenti amerikan tha, gjithashtu, se administrata e tij ishte duke shqyrtuar një varg gjërash në lidhje me taksat ndaj Rusisë dhe se zyrtarët e administratës nuk janë të shqetësuar për ushtrimet ushtarake në të cilat përfshihen Rusia, Kina e Irani./Nacionale