Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka arrestuar tre persona nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar, ndërsa gjatë kontrollit janë sekuestruar prova materiale, përfshirë telefona, laptopë dhe para të gatshme në vlerë prej 11 mijë e 756 euro.
Të dyshuarit, të identifikuar me inicialet F.M., V.M. dhe A.D., po hetohen për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, në lidhje me veprat penale “Mashtrimi” dhe “Hyrja në sistemet kompjuterike”, sipas nenit 327, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas hetimeve që po zhvillohen në koordinim me Policinë e Kosovës, rasti ka edhe elemente ndërkombëtare. Dyshohet se nga viti 2021 e tutje, të pandehurit, në bashkëkryerje me persona të tjerë, janë paraqitur rrejshëm si punëtorë bankash.
Dyshimet përfshijnë vepra penale si mashtrimi, prezantimi i rremë, vjedhja e identitetit dhe kredencialeve, si dhe shpëlarja e parave, me qëllim përfitimi të drejtpërdrejtë financiar.
Gjatë zbatimit të urdhrit për kontroll, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë pajisje elektronike dhe para të gatshme në vlerë prej 11.756 euro, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.








