Filmi fantastiko-skencor “Disclosure Day” i regjisorit Steven Spielberg po mbërrin në kinematë tona më 10 qershor, për gëzimin e fansave të regjisorit dhe të kinemasë shkruan faqja esquire.com.
Kishin kaluar katër vjet që kur ai nuk ishte rikthyer pas kamerës dhe tetë vjet që nuk i ishte përkushtuar fantashkencës, që nga koha e Ready Player One, i cili na mahniti me përzierjen e nostalgjisë, shpirtit “nerd” dhe emocioneve.
Megjithatë, duhet të kthehemi pas njëzet vitesh, te ”War of the Worlds”, për të gjetur një tjetër zhytje në fantashkencën klasike, atë që Spielberg e ka nderuar me tituj që janë bërë pjesë e mitologjisë së kinemasë: Close Encounters of the Third Kind, E.T. the Extra-Terrestrial, A.I. Artificial Intelligence dhe Minority Report.
Një garanci e madhe është edhe emri i skenaristit, David Koepp, një nga më të mirët në këtë fushë. Nga reagimet e para që kanë ardhur nga përtej Atlantikut, cilësia e filmit duket të jetë në nivelin më të lartë.
Në qendër të historisë është prania e alienëve në Tokë dhe ajo që do të ndodhë kur ky fenomen të dalë në dritë.
Kjo ndodh falë Margaret Fairchild, e interpretuar nga Emily Blunt, një meteorologe që do të bëhet pa vetëdije një lloj ure lidhëse mes njerëzimit dhe qytetërimit misterioz alien të pranishëm në Tokë.
I vetmi që duket se mund ta ndihmojë është eksperti i sigurisë kibernetike Daniel Kellner, i luajtur nga Josh O’Connor. Por të dy do të duhet të përballen me Noah Scanlonin e errët dhe jashtëzakonisht të fuqishëm, të interpretuar nga Colin Firth, drejtuesi ekzekutiv i korporatës së fuqishme Wardex Corporation, i vendosur të pengojë zbulimin e së vërtetës para botës.
Spielberg gjithmonë ka dashur të na çojë drejt një bote tjetër, një bote njëkohësisht imagjinare dhe të besueshme.
Këtë e bëri që kur na tmerronte me Jaws, por lidhja e tij me fantashkencën ka ndjekur gjithmonë dy drejtime.
Nga njëra anë kemi mrekullinë, zbulimin, vizionin e një niveli më të lartë të plotësisë, lumturisë dhe paqes.
Për Spielberg, alienët kanë qenë shpesh shprehja e një përsosmërie shumë njerëzore. Ata janë paqësorë, misteriozë, të fuqishëm, por dashamirës; janë përtej aftësive tona të kuptimit, teknologjisë dhe harmonisë.
“Disclosure Day”, që nga traileri, na bën të kuptojmë se Spielberg është rikthyer pikërisht te ky vizion, në momentin kur Margaret fillon të flasë një gjuhë të panjohur, të krijuar posaçërisht nga regjisori së bashku me aktoren.
Megjithatë, Spielberg nuk i ka parë gjithmonë alienët me optimizëm.
Tom Cruise ishte fytyra e frikës dhe terrorit me konotacione të forta politike në vitin 2005, kur Amerika u paraqit si një përzierje mes traumës së 11 shtatorit dhe rizbulimit të vetes si një vend vazhdimisht i armatosur.
Por “Disclosure Day” flet edhe për pushtetin dhe kontrollin. Nuk është rastësi që antagonisti kryesor është një njeri i fuqishëm dhe i fiksuar pas kontrollit.
Shtypi amerikan ka theksuar se kësaj radhe Spielberg ka arritur të “përditësohet”, duke u lidhur me teoritë më moderne mbi inteligjencat e mundshme aliene, madje edhe ato konspirative, dhe duke i shkrirë ato në një rrëfim emocionues me ritëm të vrullshëm.
Megjithatë, të gjitha mediat amerikane bien dakord në një pikë: “Disclosure Day” mbahet mbi supe nga një interpretim i jashtëzakonshëm i Emily Blunt.
E lindur në vitin 1983 dhe londineze e vërtetë, ajo është prej njëzet vitesh një nga fytyrat femërore më të dashura dhe më të rëndësishme të kinemasë botërore.
Debutimi i saj erdhi në vitin 2004 me ”My Summer of Love” të regjisorit Paweł Pawlikowski.
Dy vjet më vonë, ajo fitoi zemrat e publikut me rolin e Emily Charlton në The Devil Wears Prada, një personazh që i dha mundësinë të tregonte një gamë cilësish të rralla për një aktore.
Emily Blunt ka një shtrirje të jashtëzakonshme interpretimi. Ajo është dalluar në çdo zhanër të mundshëm, duke dëshmuar një prani unike në ekran.
Horror, komedi, fantashkencë, aventura, fantasy, dramë, filma historikë, melodrama… përmendni një zhanër dhe Emily Blunt e ka bërë të vetin, duke e dominuar.
Në vitin 2024, për interpretimin e saj në Oppenheimer, ajo u nominua për çmimin Oscar, ndërsa në vitin 2007 fitoi një Golden Globe Awards për rolin në Gideon’s Daughter.
Së bashku me bashkëshortin e saj, John Krasinski, ajo u bë fytyra simbol e sagës së suksesshme ”A Quiet Place”, një nga më të vlerësuarat nga adhuruesit e fantashkencës në shekullin XXI.
Sipas informacioneve të para, “Disclosure Day” mund të jetë më në fund filmi që do t’i sjellë Emily Blunt statujën e Oscar-it që i ka shpëtuar disa herë dhe që, sipas shumë kritikëve, ajo do ta kishte merituar prej kohësh.
Më shumë do të mësojmë nga 10 qershori, përmes një personazhi që vetë aktorja e ka përshkruar si “një njeri të zakonshëm të hedhur papritur në rrethana të jashtëzakonshme”/atsh





