Një ditë para publikimit të listës zyrtare të Kosovës, Amedspor ka konfirmuar ftesat e dy futbollistëve kosovarë për ndeshjet e ardhshme të përfaqësueses në Ligën e Kombeve.
Klubi turk ka bërë të ditur se Lumbardh Dellova dhe Ermal Krasniqi janë grumbulluar nga Kosova, duke i përfshirë të dy në listën e lojtarëve të Amedspor që do t’u bashkohen përfaqësueseve të tyre.
“Urojmë suksese për lojtarët tanë të ftuar në përfaqësueset kombëtare”, ka shkruar klubi turk në njoftimin e tij.
Konfirmimi nga Amedspor vjen një ditë para se Federata e Futbollit të Kosovës të publikojë listën zyrtare të futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda.
Dellova dhe Krasniqi pritet t’i bashkohen Kosovës për një seri prej katër ndeshjesh, të cilat “Dardanët” do t’i zhvillojnë brenda vetëm dhjetë ditësh.
Kosova do ta nisë këtë cikël më 24 shtator, në Prishtinë, ndaj Irlandës.
Më 27 shtator, “Dardanët” do të udhëtojnë në Austri, ndërsa më 1 tetor do të përballen me Izraelin në Hungari.
Cikli i parë i ndeshjeve do të mbyllet më 4 tetor në Prishtinë, sërish ndaj Austrisë.
Dellova dhe Krasniqi, nëse konfirmohen edhe në listën zyrtare të FFK-së, do të jenë kështu pjesë e skuadrës së Franco Fodës për këto katër përballje të Ligës së Kombeve.





