Të paktën 15 persona u vranë dhe 24 të tjerë u plagosën në një incident me të shtëna në një universitet në kryeqytetin e Republikës Çeke, Pragë, të enjten.
Kreu i policisë Martin Vondrasek tha se personi i armatosur ishte një student 24-vjeçar në Fakultetin e Arteve në Universitetin Charles.
Sulmuesi jetonte në një fshat, 21 kilometra jashtë Pragës dhe babai i tij u gjet i vdekur më herët sot, tha Vondrasek.
Duke cituar gjetjet fillestare, shefi i policisë tha se i dyshuari ishte frymëzuar nga incidente të ngjashme që kanë ndodhur jashtë vendit dhe ai nuk ishte i lidhur me ndonjë organizatë terroriste.
“Trupi i pajetë i personit të armatosur u gjet në Fakultetin e Arteve të universitetit, tha Vondrasek, duke shtuar se ai kreu vetëvrasje pas një shkëmbimi zjarri me policinë.
“Nuk kemi filluar as të identifikojmë ata që u qëlluan, sepse fillimisht zona duhet të jetë e sigurt”, tha ai.
Sipas policisë, nuk ka të dhëna që vrasësi nga Fakulteti i Arteve të ketë pasur bashkëpunëtorë.
Pas incidentit vdekjeprurës, presidenti i vendit Petr Pavel vendosi të ndërpresë udhëtimin e tij në Francë, sipas Radio Prague International.
Pavel do të takohet me forcat e sigurimit të shtetit, ndërsa kryeministri Petr Fiala gjithashtu anuloi programin e tij të punës në Olomouc dhe po shkon në Pragë.
Qeveria çeke thuhet se do të mbajë një mbledhje urgjente sonte. /AA






