Sot, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka intervistuar kryetarin e komunës së Obiliqit, Halil Thaçin, rreth hetimeve që ky institucion po i bën lidhur me shpronësimet në fshatin Shipitullë.
Për këtë, janë deklaruar edhe Thaçi edhe Prokuroria Speciale, ani pse, me deklarime të ndryshme sa i përket intervistimit.
Thaçi, ishte i pari që iu drejtua mediave, kur ndër tjerash, pasi u pyet se në çfarë cilësie u intervistua, tha se, ai u morr në pyetje në cilësinë e dëshmitarit.
“Po, si dëshmitar, ata natyrisht që më pyetën për çdo gjë dhe unë, për çka do që di, do t’i përgjigjem prokurorit. Më kanë përfshirë në çështjen e shpronësimeve në fshatin Shipitullë. Unë jam shumë i kënaqur që Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe i bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë deri në fund. Po ashtu, i kam bërë thirrje edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm në ato pjesë”, tha mes tjerash kryetari i Obiliqit.
Megjithatë, ndryshe u deklarua Prokuroria. Nga këta të fundit për Gazetën Express, thanë se Thaçi u mor në pyetje në cilësinë e të pandehurit.
‘’Mund të konfrimojmë se H.Th., është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi”, kanë thënë nga Prokuroria për Express.






