Deputetja e zgjedhur e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka deklaruar se beson se në politikën kosovare ka persona që përdorin substanca narkotike.
E ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Kadrijaj ka komentuar iniciativën e partisë së saj për testimin e deputetëve për përdorim të drogës.
Ajo bëri të ditur se i është nënshtruar vetë testit dhe se rezultati ka dalë negativ.
“Mendoj që nuk është i dinjitetshëm dikush që konsumon drogë me qenë në nivele të larta vendimmarrëse. Po i sfidoj, bëjeni, sikur që e bëra unë. Ne e dimë sipas statistikave që është në rritje ky fenomen në Kosovë, sidomos te fëmijët”, tha Kadrijaj.
E pyetur nëse mendon se ka politikanë që përdorin drogë, deputetja e zgjedhur e AAK-së u përgjigj pozitivisht.
“Mendoj që po, mendoj që ka njerëz që e përdorin drogën, shihen prej sjelljeve, prej gjesteve”, deklaroi ajo.
Kadrijaj nuk përmendi emra konkretë, ndërsa deklaratat e saj vijnë në kohën kur iniciativa për testimin e deputetëve për përdorim të substancave narkotike ka hapur debat në skenën politike në Kosovë.





