Kosova ka arritur një fitore të madhe si mysafire ndaj Sllovakisë me rezultat 3–4, në kuadër të gjysmëfinales së “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Ky sukses i rëndësishëm e ka afruar kombëtaren vetëm një ndeshje larg kualifikimit historik në Botëror, duke rritur entuziazmin te tifozët dhe opinionin sportiv në vend.
Fitorja e Kosovës ka nxitur reagime të forta në mediat serbe, të cilat e kanë komentuar me tone këtë arritje,dhe si gjithmon vënë në dyshim pjesëmarrjen e Kosovës në gara ndërkombëtare, ndërsa të tjera i janë referuar kombëtares me terma kontestues.
“Sensacioni i ashtuquajtur Kosovë – në Prishtinë luajnë për kualifikim në Botëror”raporton B92.
Edhe mediumi i pavarur Novar.rs shkruan për suksesin e vendit tonë: “Ashtuquajtura Kosovë është një hap larg Kampionatit Botëror, një ndeshje i ndan nga Botërori”.
Pavarësisht këtyre reagimeve, Kosova mbetet e fokusuar te sfida e radhës. Të martën, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ajo do të përballet me Turqinë në ndeshjen vendimtare për një vend në Kupën e Botës 2026.
Një fitore në këtë përballje do të shënonte një moment historik për futbollin kosovar, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në një Kampionat Botëror.






