Përgatiti: Arton Hamiti
Derisa, tenderi 2 milionësh i Ministrisë së Punëve të Brendshme për “Furnizim me targa të automjeteve” nuk u nënshkrua as pas një viti, kjo ministri me procedurë emergjente ka blerë targa në vlerë 270 mijë euro.
Urgjenca për blerjen e targave erdhi edhe pas interesimit të madh të qytetarëve serbë për t’i konvertuar ato ilegale në RKS.
“Agjencia për Regjistrim Civil ka njoftuar se ka nevojë për targa shtesë dhe është e nevojshme të zhvillohet kjo procedurë e furnizimit emergjent, në mënyrë që të kemi mundësi t’i mbulojmë kërkesat e qytetarëve, sidomos për riregjistrimin e automjeteve me tabela serbe të qyteteve të Kosovës në ato RKS, për rajonin 02, deri në përzgjedhjen e kontraktuesit, sipas procedurës së hapur të prokurimit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Aktualisht qytetarët i kanë në dispozicion rreth 30 mijë palë targa.
“Numri i targave për regjistrimin e automjeteve në dispozicion është: 27.956 palë targa RKS, por nga kjo sasi 5.393 palë targa për regjionin 02, janë me kontratë emergjente”, thuhet më tej në njoftimin e MPB-së.
Teksa kritikoi Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe Autoritetet Kontraktuese për zvarritjen e tenderëve me procedurë të hapur, avokati Qëndrim Arifi nuk preferon këtë formë të cilën e ka ndjekur MPB-ja në këtë rast.
“Herë me qëllim e herë pa qëllim, OSHP-ja dhe Autoritetet Kontraktuese i zvarrisin tenderët, ndërkohë procedurat ku kërkohet furnizim emergjent, pra janë të mbyllura dhe nuk janë aspak të preferuara, sepse nuk janë as transparente”, tha Arifi.
Ministria e Punëve të Brendshme hapi thirrjen për tender për furnizim me targat e automjeteve në dhjetor të vitit 2022. Teksa, vlera e parashikuar e tenderit është 2.6 milionë, MPB-ja planifikonte blerjen e mbi 320 mijë palë targash të ndryshme.





