Të paktën 9 të vdekur në Vankuver pasi vetura godet turmën gjatë festivalit

Të paktën nëntë njerëz kanë vdekur në Vankuver pasi një veturë e shtypi turmën e njerëzve në një festival rrugor në qytetin perëndimor të Kanadasë, njoftoi policia të dielën.

Policia tha se e ka arrestuar një 30-vjeçar nga Vankuveri në vendin e ngjarjes dhe se i dyshuari është “i njohur” për ta, por nuk dha më shumë hollësi. I dyshuari fillimisht ishte ndaluar nga njerëzit në vendin e ngjarjes.

“Në këtë çast, jemi të bindur se ky incident nuk ishte akt terrorizmi”, tha policia e Vankuverit në një postim në X.

Incidenti ndodhi pak pas orës 20:00, me kohën lokale, pranë një rruge ku po zhvillohej Festa e Ditës së Lapu Lapu, në nderim të një heroi kombëtar filipinas.

Kryeministri kanadez, Mark Carney, tha në X: “Jam i shkatërruar nga lajmi për ngjarjet tragjike në festivalin Lapu Lapu në Vankuver këtë mbrëmje”.

Jagmeet Singh, udhëheqës i Partisë Demokratike të Re të Kanadasë, ishte në mesin e pjesëmarrësve në këtë festival, por u largua disa minuta para se automjeti të mbërrinte, raportoi CTV News.

“Është e tmerrshme, nuk di çfarë të them”, citohet Singh nga CTV. “Isha aty dhe më shfaqen në mendje fytyrat e fëmijëve që pashë duke buzëqeshur dhe kërcyer”.

Një dëshmitar, i cili nuk dëshiroi të identifikohej, tha se kishte parë rreth 15 persona të shtrirë në tokë pasi një veturë e zezë shtypi turmën me shpejtësi. Dëshmitari tha se drejtuesi i mjetit kishte tentuar të arratisej, por ishte ndjekur nga pjesëmarrësit e festivalit dhe ishte mbajtur pranë një gardhi për rreth 10 minuta deri sa mbërriti policia.

Gazeta Vancouver Sun raportoi se mijëra njerëz ndodheshin në atë zonë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA