Pas fitores minimale të Arsenalit ndaj Sportingut të martën mbrëma, Premier Liga do të ketë pesë vende automatike për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Kjo do të thotë se kushdo që përfundon në pesë vendet e para, do të kualifikohet për Ligën e Kampionëve.
Ky është viti i dytë me radhë që Premier Liga siguron pesë vende, për shkak se liga angleze kryeson në ranglistën e ligave me performancën më të mirë në Evropë.
Aktualisht, Liverpooli është në pozitën e pestë, mirëpo ekipi i Arne Slot është vetëm një pikë përpara Chelseat në pozitën e gjashtë.
Sidoqoftë, mund të ketë edhe përfaqësues të tjerë të Anglisë në Ligën e Kampionëve.
Nëse Aston Villa, që gjendet në pozitën e katërt, siguron Evropa Ligën dhe përfundon jashtë top-katërshes, atëherë Anglia do të ketë gjashtë ekipe në garën evropiane.
I njëjti skenar aplikohet për Liverpoolin në Ligën e Kampionëve.
Gjithashtu Nottingham Forest mund të luajë në Ligën e Kampionëve nëse fiton Evropa Ligën.






