Tajfunët britanikë RAF mendohet se janë përfshirë në rrëzimin e dronëve iranianë mbi Siri dhe Irak gjatë natës.
Kështu po raporton mediumi britanik ‘The Guardian’ me burime, informacione të cilat më pas u konfirmuan edhe nga Ministria britanike e Mbrojtjes. Operacioni i Mbretërisë së Bashkuar u vlerësua si një zgjatje e misioneve të vjetra të bombardimeve dhe mbikëqyrjes kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, të quajtur Operacioni Shader, përcjell Insajderi.
RAF gjithashtu asistoi forcat ajrore amerikane në operacionet kundër ISIS-it, ashtu që amerikanët kishin një dorë më të lirë për të ndihmuar Izraelin të rrëzonte 300 dronët dhe raketat që ushtria izraelite tha se u gjuajtën gjatë natës.
Më shumë informacion pritet të publikohet nga Britania e Madhe në lidhje me bazën ligjore për përfshirjen ushtarake britanike. Në deklaratat fillestare nuk kishte referenca për vetëmbrojtje apo ndihmën e një aleati, por pati një thirrje më të gjerë për stabilitet nga kryeministri britanik, Rishi Suank brenda natës.
“Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë sigurinë e Izraelit dhe atë të të gjithë partnerëve tanë rajonalë, përfshirë Jordaninë dhe Irakun. Krahas aleatëve tanë, ne po punojmë urgjentisht për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Askush nuk dëshiron të shohë më shumë gjakderdhje”, tha ai.






