12.9 C
Pristina
Wednesday, May 21, 2025
Banner

Sulmet izraelite vranë të paktën 60 njerëz në Gazë, thonë autoritetet lokale shëndetësore

Sulmet izraelite gjatë natës ndërmjet të hënës dhe të martës kanë vrarë të paktën 60 persona në Rripin e Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Izraeli ka nisur një ofensivë tjetër të madhe në Gazë gjatë ditëve të fundit, duke thënë se synon të kthejë dhjetëra pengje që mbahen nga Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian – dhe të shkatërrojë grupin palestinez.

Të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nisi të lejojë hyrjen e një numri të vogël të kamionëve me ndihma në Gazë për herë të parë pas 2 muajsh e gjysmë, duke thënë se ishte përballur me trysni për të hequr një bllokadë ndaj 2 milionë palestinezëve të territorit, që kishte nxitur frikë për zi buke.

Por, agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara thanë se disa kamionë që kanë hyrë nuk janë as afër përmbushjes së nevojës masive për ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera, raporton Associated Press. Rreth 600 kamionë në dytë kishin hyrë gjatë një armëpushimi, më parë këtë vit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Dy sulme në veri të Gazës goditën një shtëpi familjare dhe një shkollë të shndërruar në vendstrehim, duke vrarë të paktën 22 persona, më shumë se gjysma e të cilëve ishin gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Një sulm në qytetin qendror Deir al-Balah vrau 13 persona, ndërsa një tjetër në kampin e afërt të refugjatëve Nuseirat i mori jetën 15 personave, sipas Spitalit të Martirëve të Al-Aksës.

Dy sulme në qytetin jugor të Han Junisit vranë 10 persona, sipas Spitalit Nasser.

Nuk pati komente të menjëhershme nga ushtria izraelite, e cila thotë se sulmon vetëm militantë, dhe fajëson Hamasin për vdekjen e civilëve, për shkak se grupi operon në zona të populluara.

Lufta në Gazë nisi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 persona, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng 251 të tjerë. Pjesëtarët e Hamasit janë ende duke i mbajtur 58 pengje që besohet të jenë gjallë, pasi shumica e pjesës tjetër janë liruar në kuadër të marrëveshjeve për armëpushim dhe të tjera.

Ofensiva hakmarrëse e Izraelit, e cila ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka vrarë mbi 53.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve në llogaritjet e saj.

Lufta ka zhvendosur rreth 90 për qind të popullatës së Gazës, shumicën prej tyre disa herë./rel

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA