Një grup studentësh nga Universiteti i Pizës në Itali ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness, pasi ndërtoi aeroplanin më të madh prej letre në botë.
Studentët, të cilët e quajtën ekipin e tyre Project Icarus, e ndërtuan aeroplanin tërësisht me letër dhe ngjitës, me mbështetjen e influencuesit të njohur të inxhinierisë, Jakidale.
Aeroplani kishte një hapje krahësh prej 20.04 metrash dhe një gjatësi prej rreth 7 metrash, transmeton Telegrafi.
Gjatë prezantimit në panairin We Make Future, të mbajtur në qendrën BolognaFiere në Bolonjë, aeroplani fluturoi 59 metra, duke siguruar zyrtarisht rekordin botëror Guinness për aeroplanin më të madh prej letre.
Rekordi i mëparshëm mbahej nga Instituti i Teknologjisë Braunschweig në Gjermani, i vendosur në vitin 2013. /Telegrafi/





