Prishtina ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me Albin Krasniqin, duke e transferuar përfundimisht mesfushorin ofensiv nga klubi ukrainas Kolos.
Pas një periudhe gjashtëmujore në huazim, drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë aktivizuar marrëveshjen për blerjen e kartonit të futbollistit nga Kaçaniku, duke e bërë atë pjesë të projektit edhe për sezonet në vazhdim.
Lajmi është konfirmuar nga vetë Prishtina përmes një njoftimi zyrtar, ku bëhet e ditur se Krasniqi ka firmosur kontratën e re me bardhekaltrit, duke rikthyer zyrtarisht një futbollist që tashmë e njeh mirë ambientin e klubit dhe ka lënë gjurmë me fanellën e tij.
“Rrugëtimi i Albin Krasniqit me fanellën bardhekaltër vazhdon. Mesfushori ofensiv ka nënshkruar kontratë me Prishtinën, pasi në pjesën e dytë të sezonit të kaluar ishte pjesë e skuadrës si i huazuar nga klubi ukrainas Kolos.
Krasniqi rikthehet zyrtarisht te bardhekaltrit, ekip me të cilin fitoi Kupën e Kosovës në vitin 2025. Gjatë pjesës pranverore të sezonit të kaluar, ai regjistroi 16 paraqitje, shënoi dy gola dhe kontribuoi me një asistim.
Në total, Albini ka zhvilluar 77 ndeshje me fanellën e Prishtinës në të gjitha garat”, thuhet në komunikatën e klubit.
Paraqitjet e tij gjatë pjesës së dytë të sezonit bindën drejtuesit e Prishtinës se ai meritonte një kontratë të përhershme. Mesfushori 24-vjeçar u shndërrua në një element të rëndësishëm të skuadrës, falë kreativitetit, energjisë dhe kontributit në fazën sulmuese.
Me këtë lëvizje, Prishtina ruan një prej futbollistëve që konsiderohet pjesë e rëndësishme e projektit të trajnerit për sezonin e ri, ku objektivi mbetet lufta për trofe në futbollin kosovar dhe një paraqitje sa më e suksesshme në garat evropiane.





