Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se sot pika kufitare në Jarinjë do të mbyllet për qarkullim për dy orë për shkak të një proteste që do të zhvillohet në Serbi.
Sipas MPJD-së, bllokimi i rrugës nga ana e Serbisë është paralajmëruar nga ora 16:00 deri në 18:00.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt vendlindjes ose të kalojnë tranzit nëpër këtë segment rrugor këshillohen të planifikojnë me kohë lëvizjet e tyre dhe, për të shmangur pritjet e gjata, vonesat apo pengesat eventuale në qarkullim, të shfrytëzojnë rrugë alternative”, thuhet në njoftim.
MPJD njofton se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të informojë qytetarët për çdo zhvillim të ri.






