Nagavci për Specialen: Duhet angazhim serioz juridik e diplomatik, jo vetëm ligje me procedura të përshpejtuara

Arbërie Nagavci, ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ato nuk garantojnë kthimin e ish-drejtuesve të UÇK-së në Kosovë. Ajo ka kërkuar strategji shtetërore, përgatitje serioze juridike dhe angazhim diplomatik për procesin e apelit.
Arbërie Nagavci, ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ato nuk garantojnë kthimin e ish-drejtuesve të UÇK-së në Kosovë. Ajo ka kërkuar strategji shtetërore, përgatitje serioze juridike dhe angazhim diplomatik për procesin e apelit.
Reklamë
“Drejtësia për çlirimtarët kërkon seriozitet, përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje juridikisht të qëndrueshme, jo vetëm miratimin e ligjeve me procedura të përshpejtuara”, ka thënë Nagavci.
Postimi i plotë i Nagavcit:
Ende pa kaluar dy javë nga miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, tashmë po dëgjohen kërkesa që Presidentja ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim.
Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, që në fillim kemi ngritur shqetësimet tona për nxitimin me të cilin po procedohej ky ligj, për përmbajtjen e tij dhe për problemet e mundshme kushtetuese.
Qëndrimi ynë ndaj Gjykatës Speciale ka qenë i qartë që nga viti 2015. Kemi kundërshtuar themelimin e saj dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar. Megjithatë, kemi theksuar se ndryshimet e propozuara ligjore nuk i shfuqizojnë aktgjykimet, nuk e zëvendësojnë procesin e apelit dhe nuk sigurojnë kthimin e ish-drejtuesve të UÇK-së në atdhe.
Pavarësisht rezervave tona, e kemi mbështetur ligjin, me dëshirën që çdo nismë në mbështetje të çlirimtarëve të japë rezultate konkrete. Sot, kur po kërkohet rishqyrtimi i tij, rikthehen në vëmendje pikërisht shqetësimet që i kemi ngritur para miratimit.
Kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë një strategji të mirëfilltë shtetërore, një përgatitje serioze juridike për procesin e apelit dhe një angazhim të fuqishëm diplomatik për të mbrojtur të vërtetën historike të luftës çlirimtare të Kosovës.
Drejtësia për çlirimtarët kërkon seriozitet, përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje juridikisht të qëndrueshme, jo vetëm miratimin e ligjeve me procedura të përshpejtuara.











