Faza e 1/8 së finales në UEFA Champions League nis sonte me katër përballje interesante që do të zhvillohen në stadiume të ndryshme evropiane.
Ndeshja e parë e mbrëmjes do të luhet nga ora 18:45, ku Galatasaray pret në shtëpi Liverpool. Skuadra turke vjen e motivuar pas kualifikimit në këtë fazë përmes ndeshjeve eliminatore kundër Juventus, ndërsa anglezët synojnë të tregojnë stabilitet pas një sezoni me luhatje, pavarësisht se e mbyllën fazën e ligës në pozitën e tretë.
Një tjetër ndeshje shumë interesante do të zhvillohet në stadiumin St James’ Park, ku nga ora 21:00 Newcastle United përballet me FC Barcelona. Skuadra katalanase e përfundoi fazën e ligës në vendin e pestë dhe vjen si favorite në këtë duel.
Dy ekipet janë përballur edhe më herët këtë sezon, kur Barcelona arriti fitore 2-1 në udhëtim falë golave të Marcus Rashford.
Në një tjetër përballje, një nga pretendentët kryesorë për trofeun, Bayern Munich, do të jetë mysafir i Atalanta. Bavarezët po kalojnë një sezon shumë të mirë, duke qenë pranë titullit në kampionatin gjerman dhe duke përfunduar fazën e ligës në vendin e dytë me vetëm një humbje.
Ndërkohë, në Londër, Tottenham Hotspur përballet me Atlético Madrid. Skuadra londineze nuk po kalon një periudhë të mirë të rezultateve edhe pas ardhjes së trajnerit Igor Tudor, ndërsa ekipi spanjoll hyn në këtë përballje si favorit në letër.






